Sali Berisha do të mbajë Foltoren e radhës në qytetin e Lezhës. Lajmi u dha ditën e sotme në fund të takimit me demokratët e Kavajës.
Nga qyteti i Kavajës, Sali Berisha ka dhënë lajmin se gjykata e Parisit ka pranuar padinë e ish-Kryeministrit për Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas shpalljes non-grata të Berishës dhe familjes së tij në maj të këtij viti për korrupsion madhor.
Berisha e ka ftuar Blinken të dorëzojë të gjitha provat që ka kundër tij, por duke shtuar se sipas tij nuk ka asnjë provë të vetme. (Lexo këtu)
Yuri Kim, ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, ka qenë ajo që ka këmbëngulur për largimin e Berishës nga grupi parlamnetar i PD-së, madje duke i thënë Bashës se PD nuk mund ‘të hajë barë’ për shkak të Berishës.
Mbrëmjen e sotme nga qyteti i Kavajës, Sali Berisha i është rikthyer debatit me Yuri Kim, duke deklaruar se për demokratët nuk mund të vendosë më as kryetari i marrë peng dhe as ajo që thotë se demokratët hanë bar.
Në nisje të takimit me demokratët e Kavajës, Sali Berisha akuzoi Ramën dhe ministrin Ccucci se janë përpjekur t’i bllokojnë rrugën. Ish-kryedemokrati e ka paralajmëruar Ramën që të heqë dorë nga këto akte të ulëta ose do të ngujohet në Surel. (Shiko këtu)
Lulzim Basha nuk i ka shpëtuar kritikës së Berishës as nga Foltorja e Kavajës. Ish-lideri historik i PD-së, i ka quajtuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Basha marrëveshje turpi me Ramën. Nga ana tjetër, sa i takon vetingut të politikanëve, Berisha e pyeti me ironi kreun e PD-së ku i lindi dashuria e madhe për SPAK-un?!
Më e rëndësishmja nga ky takim, ishte dhe kandidatura e Sali Berishës për kreun e Partisë Demokratike. Ish-Kryeministri edhe më herët ka folur për një kandidim të mundshëm për të marrë Selinë Blu, por mbrëmjen e sotme nga Kavaja e tha hapur se në momentin që do të ketë garë në PD, ai do të jetë një nga kandidatët.
Rikujtojmë se një luftë politike ka nisur mes Sali Berishës dhe pasardhësit të tij në PD, Lulzim Basha, pasi ky i fundit me datë 9 shtator 2021, e pezulloi nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas ‘urdhërave’ të amerikanëve. Berisha nuk e ka pritur aspak mirë këtë vendim, të cilin e quan vendim personal të Bashës, me këtë të fundit që nuk e njeh më si kryetar. Berisha ka nisur një tur takimesh me demokratët përreth Shqipërisë, me qëllimin për të mbledhur firmat e nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombetar të PD-së, me anë të së cilit kërkon të shpallë të pavlefshëm vendimin për përjashtim.
(E.H/Faxweb.al)
Discussion about this post