Ramush Haradinaj nuk ka mundur t’i anashkalojë akuzat e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, ku ky i fundit e quajti kreun e AAK ‘kriminel’. Nga Franca ku ndodhet në arrest shtëpie, Haradinaj publikon në “Facebook” një foto të Daçiç me Milloshevicin dhe i quan të dy vrasës e pushtues.
“Kur të vërsulet krimineli!
Ivica Daçiç, ka hapur luftë personale me mua, që e kam mbrojtur shtëpinë e popullin tim dhe po i harron krimet që i ka kryer vet e shokët e tij edhe në gra e në fëmijë.
Unë kam qenë luftëtar lirie e jo pushtues e vrasës si ai e shefi i tij!
Pavarësisht se kam bërë luftë mbrojtjëse e në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës, unë i jam përgjigjur drejtësisë ndërkombëtare, e nuk jam fshehur si ai qindra zyrtarë të tjerë serbë, të cilët bashkë me Daçiqin, i kanë zhdukur dëshmitë e krimeve të kryera në Kosovë!
Daçiqi duhet të flasë për krimet e tij e të shokëve të tij, e të mos kujtoj që i shlyen krimet e veta duke shpifur ndaj meje!
Unë kurrë nuk jam shqetësuar kur më janë vërsulur kriminelë të tipit të tij, as në 98-99 e as sot!
Ai duhet të shqetësohet për krimet e veta, sepse unë kam dalë i pastër si loti!
Hala nuk është vonë që drejtësia ndërkombëtare ta shohë e ta gjykojë jetën kriminale të Ivica Daçiqit dhe jo vetëm!”, shkruan Haradinaj në “Facebook”. (J.V/Shuplaka)