Një shtetase 35 vjeç është gjetur e pajetë në banesën e saj në lagjen 18 shtatori në Gjirokastër. Burimet për faxweb.al bëjnë me dije se bëhet fjalë për 35 vjeçaren Alba Taho, e cila dyshohet se ka humbur jetën, në rrethana ende të pasqaruara disa ditë para se të gjendej nga forcat blu të qytetit të gurtë. Kanë qenë fqinjët të cilët kanë njoftuar policinë pasi nga banesa e familjes Taho vinin aroma të rënda. Menjëherë pas marrjes së njoftimit blutë kanë ndërhyrë në banesën ku e ndjera e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor jetonte bashkë me të ëmën. Sipas njoftimit zyrtar, trupi i 35-vjeçares ishte pjesërisht i dekompozuar çka lë të kuptojë se Taho ka humbur jetën disa ditë më parë.
E ëma e cila vuan nga e njëjta diagnozë është shoqëruar për në komisariat ku dhe do të merret në pyetje. Sipas raportimeve paraprake në trupin e të ndjerës nuk ka shenja dhune.
Njoftimi zyrtar
Rreth orës 11:20 njoftohemi se në lagjen “18 Shtatori” është gjetur e pajetë në banesë e saj shtetasia A. T., rreth 35 vjeç, e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Menjëherë në vendgjarje shkuan shërbimet e policisë dhe nga kqyrja paraprake e trupit nuk vihen re shenja dhune. Gjithashtu dyshohet se shtetasia A. T. ka ndërruar jetë prej disa ditësh, pasi trupi ka filluar pjesërisht të dekompozohet.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.