Një ngjarje e rëndë, dhe ende kontradiktore ka ndodhur pak minuta më parë në Krastë të Elbasanit, ku tre automjete janë përfshirë në një aksident.
Burime bëjnë me dije se një makinë, e cila ka qenë në ndjekje nga ana e policisë, ka përplasur postobllokun e vendosur në zonën e Krastës, duke lënë të plagosur të paktën tre persona, mes tyre dhe punonjës policie. Në zonë janë raportuar dhe të shtëna me armë zjarri, po dinamika e ngjarjes mbetet e pazbardhur.
Një prej efektivëve të plagosur ndodhet në reanimacionin e spitalit të Elbasanit, në gjendje të rëndë për jetën, ku pritet ti nënshtrohet dhe disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Nuk dihet ende nëse ai është plagosur si pasojë e përplasjes së makinave, apo prej plumbave që janë gjuajtur në drejtim të tyre.
Në aksident është përfshirë dhe një autoshkollë, e cila dyshohet se ka qenë rastësisht aty dhe nuk ka pasur lidhje me ngjarjen.
Dyshohet se në këtë ngjarje me prapavijë kriminale, të ketë qenë dhe një mjet tjetër i përfshirë, që është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Pikërisht ky mjet dyshohet të ketë plagosur dhe punonjësin e policisë.
Gazetarja e Fax News Entela Duka raporton se në vendin e ngjarjes ndodhet dhe prokuror Ritvan Sukaj.
Në njërin prej bagazheve të makinave që ndodhen në vendin e ngjarjes janë gjetur disa targa fallso.
Discussion about this post