Mediat italiane shkruajnë se trupi i pajetë i një shqiptari është gjendur në Empoli të Italisë. Një 36-vjeçar nga Shqipëria mësohet se është gjetur i vdekur pranë ish-fabrikës së qelqit, ndërsa ka dyshime se është vrarë.
Ende nuk ka një rezultat zyrtar se pse ka ndodhur vdekja, kurse pritetet edhe përgjigja nga autoritetet në lidhje me shkaqet e ngjarjes së rëndë.
Autoritetet e vendit fqinj po hetojnë në dy pista e ata janë ajo natyrale, si dhe e vrasjes.
Si u zbulua trupi i pajetë i 36-vjeçarit
Trupi i të riut shqiptar në Empoli kishte nisur të dekompozohej, ndërsa vëllai i tij ka bërë zbulimin e tmerrshëm.
Ai nuk kishte pasur informacione nga vëllai për disa ditë, ndaj edhe kishte nisur kërkimet. Të dy frekuentonin mensën popullore në qytet dhe fakti që i vëllai nuk ishte paraqitur, kishte ngritur dyshime tek ai.
Ai ka treguar se vëllai i tij ndodhej në Itali prej gati 20 vitesh. Trupi i tij është gjetur i shtrirë në tokë në zyrat e ish-kompanisë, jo shumë larg qendrës së qytetit.
36-vjeçari nuk ishte i vetmi person që kishte gjetur strehë brenda gërmadhës. Në ambientet e ish-fabrikës, hetuesit gjetën elemente që sugjerojnë se njerëz të tjerë të pastrehë frekuentonin atë vend. Kjo është arsyeja pse po hetohet edhe vrasja.