Supermodelja Linda Evangelista po kërkon 50 milionë dollarë nga kompania përgjegjëse për trajtimin kozmetik të pesë viteve më parë që e “shpërfytyroi” atë. Në një padi të ngritur në gjykatën federale të Nju Jorkut, modelja e njohur kërkon kompensim për “shqetësimin emocional” dhe “humbjet ekonomike” të pësuara.
Sipas dokumentit, trajtimi e la atë “të papunë dhe të paaftë për të punuar si modele”. Evangelista pretendon se ajo nuk mori asnjë kompensim nga incidenti, përveç një pagese të fushatës para trajtimit të bukurisë, pasi ajo duhej të hiqte dorë nga angazhimet e saj që i impononin që ajo të shfaqej në publik.
Në një postim në Instagram, supermodelja që dominoi pasarelat botërore në vitet 1990, tha se pasi mori një trajtim “CoolSculpting” (kriolipolizë) që shkakton reduktim jo-invaziv të yndyrës së trupit përmes ftohjes së lokalizuar të lëkurës, ajo zhvilloi një efekt anësor të rrallë që ka shkaktuar një metamorfozë radikale të paraqitjes së saj deri në atë pikë sa ta bëjë atë të mos njihet.