Fax News ka udhëtuar drejt banesës së familjes Kushi në fshatin Allgjatë në rrethinat e kryeqytetit, ku dyshohet se u fshehën pas vrasjes së Indrit Çelajt Albano dhe Griseldo Kusi.
Mbrëmjen e djeshme në këtë banesë, policia ka kryer kontrolle në të gjithë zonën, ku ka gjetur dhe një armë, e cila nuk dihet ende nëse është përdorur ditën kur ka ndodhur vrasja.
Vila e familjes Kusi është e vendosur në një kodër, dhe e shkëputur nga banesat e tjera, çka e bën të vështirë mundësinë e pasjes së dëshimtarëve që mund të kenë parë lëvizjet e vëllezërve.
Ekipi i Fax News nuk është lejuar që ti afrohet banesës, pasi familjarë të Bujar Kusit kanë penguar rrugën që të lidh me vilë.
Fillimisht u tha se vëllezërit Kusi ishin larguar në drejtim të Greqisë, po mesa duket kjo është përdorur si një pistë për të humbur gjurmët.
Kujtojmë se vrasja e Indrit Çelajt ndodhi në 22 Gusht në vilën e familjes Kusi në zonën e Myslym Shyrit, për shkak se i riu kishte debatuar me vëllezërit e shpallur në kërkim për tubin e kondicionerit që kishte montuar në godinë.
Vrasja e 26-vjeçarit nxori në dritë dhe problemet e shumta dhe korrupsionin e sistemit të drejtësisë, pasi vëllezërit Kusi pavarësisht se janë akuzuar për disa vepra të rënda penale, vazhdonin të endeshin të lirë, duke iu dhënë dorë dhe në kryerjen e këtij krimi të rëndë.
Precedentët:
Griseldo Kusi ka tentuar të vrasë në dy raste personat Maksut Hysa (gusht 2011) dhe Boiken Spahiun (3 muaj më vonë). Në të dyja rastet, ai i ka qëlluar me nga 4 plumba, por fatmirësisht të dy personat i kanë shpëtuar vdekjes. Konflikti i parë ka ndodhur për shkak të një ndërtimi.
Kurse, përplasja e dytë ka ndodhur për shkak të pazareve të drogës në Angli. Griseldo qëlloi me 4 plumba Boiken Spahiun, i cili ia doli të shpëtonte tragjedisë.
Edhe vëllai i tij, Albano ka patur punë me drejtësinë. Në vitin 2012, ai ka vrarë për një borxh prej 650 € Shkëlqim Nozllin, ndërsa dy vite më parë ai ka grabitur një kazino në Kavajë.
(E.K/Faxweb.al)