Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së parë publike të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas nisjes së hetimeve ndaj tyre dhe caktimit të masave të sigurisë. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se hetimet kanë zbuluar një seri kompanish që përfitonin fonde shtetërore, ndërsa theksoi se në kasafortë janë gjetur shuma të mëdha parash.
“Vetëm në kasafortë janë gjetur 95 mijë euro dhe një sasi e madhe lekësh. Hetimet kanë treguar një seri kompanish që përfitonin fonde shtetërore. Faturat doganore që kam publikuar faktojnë shifrën e bërë publike nga prokuroria,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se një nga çështjet më të rënda në këtë dosje është financimi i Xoxës dhe familjarëve të saj me para publike.
“Se cila është shuma që Ajola Xoxa ka disponuar, mund të them se vetëm në kasafortë janë gjetur 95 mijë euro dhe një sasi e madhe lekësh. Së dyti, hetimet kanë treguar një seri kompanish që përfitonin fonde shtetërore. Faturat doganore unë i kam sjellë këtu dhe ato faktojnë shifrën e bërë publike nga prokuroria. Mendoj se aktet më të rënda, në atë dosje janë, financimi i Ajola Xoxës dhe familjarëve të saj nga burri i saj, nga paratë e taksapaguesve”, u shpreh Berisha.