Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë se nuk ka pritje, as të mira e as të këqija, nga vizita e këshilltarit të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Ajo ka thënë se nga SHBA-ja “i vetmi premtim i rëndësishëm” ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“E vetmja gjë që mendoj se është e rëndësishme dhe është në tavolinë është premtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se formimi i Asociacionit të komunave serbe do të nisë në janar. Kjo do të ishte shumë mirë, që do të ishte zbatim i Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Bërnabiç për “TV Pink”.
Siç shkruan “Danas” të mërkurën, Bërnabiç ka shpërndarë edhe një postim të Twitterit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë se “plani i dy gjermanive nuk është zgjidhje për Qipron, por proces që duhet të kalojë nëpërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në përputhje me rezolutat e OKB-së”.
Bërnabiç ka thënë se ka marrë garanci nga presidenti i Interpolit, Ahmed Nasser Al-Raissi, me të cilin ka biseduar në Dubai, se gjatë mandatit të tij do të përpiqet të “mos e politizojë” organizatën. Sipas Bërnabiç, kjo nënkupton se s’do të ketë anëtarësim të Kosovës në Interpol.