E pyetëm gjerë e gjatë aktorin Julian Deda, për atë që mendon për artin, politikën dhe miqtë e tij. ”Ne mund të kemi bërë një diskutim pak me tone të larta dhe jemi pak gojëkeq nga natyra. Dikush që mund të ketë qenë aty afër e ka dëgjuar këtë por s’ka patur asnjë lloj dashakeqësie. Thanë ”u zunë me thika”….”, tregon Deda për debatin me që ka patur me kolegun Albano Bogdo.
Deda ”i zbraz” të gjitha në tavolinë, tregon për marrëdhënien e krisur me Gentian Zenelaj, sherrin e përfolur me Albano Bogdon, hyrjen në politikë të Gazmend Pajës dhe ”Çdrejtorin” e Teatrit siç e quan ai, Hervin Çulin. Në fund disa fjalë për ”shokun” e tij më të mirë: bashkëshorten. Pse zgjedh një aktor t’i futet politikës dhe si arrin ta balancojë me artin?
Kur e nisni ”Apartamenti”-n?
Më datën 7 mars. Si çdo sezon ne e fillojmë me situata të reja, gjithmonë në varësi të aktualitetit politik, që ne e shohim dhe prekim përditë. Sepse spektakli duke qenë i përjavshëm ka një tendencë për t’u ngulur fort në aktualitet dhe ne e kemi burimin kryesor. Ajo që do të bëjmë të re është përpjekja e lidhjes së disa fijeve të marrëdhënieve mes njëri-tjetrit, mes aktorëve ose personazheve. Spektakli ynë është bazuar mbi improvizimin dhe duam apo s’duam ne është mbi 50% i tillë. Ne e refuzojmë që të parapërgatisim shumë skenar përpara për shfaqjet. Ne i rrimë sa më afër ditës së shfaqjes që mos humbim aktualitetin. Stafi nuk ka ndryshuar, jemi të njëjtët aktorë, pra unë Albani, Visjani, Cubi, Egi, Eljona, Andrea, Edi Oga vazhdon të jetë, Turi është producenti. Kjo është një vazhdimësi por edhe risi që ne i përshtatemi aktualitetit.
Ajo që vuajmë më shumë te apartamenti është kur vijnë të ftuarit. Atje t’i shohësh sytë e tyre, duket që janë të mpirë fare. Edhe Ed Ramës i janë dridhur duart. Por te ne është një ambjent i paparë, nuk ”i prek” njeri. Ata që kanë ardhur mendoj se janë ndjerë komod. Kujtojnë se çfarë do ndodhë, por do ndodhë ajo që biem dakord, mund të ketë ndonjë dalje, por është e pranueshme.
Ngjarjet politike të tanishme ju japin ”brum” për shfaqjen?
Këto janë karburant shumë i mirë. Duke e parë nga ana artistike sigurisht që është një amulli e madhe, një lëmsh i madh që po ndodh politikisht. Ne mund të na shërbejë si material për spektaklin por ndonjëherë edhe nuk kemi fuqi t’i hyjmë dhe aq thellë sepse është një lojë politike që mund të bëhet diku në zyrat me dyer të mbyllura me çelës dhe me katër shula që neve nuk e kuptojmë. Megjithatë aq sa nuhasim, kapim nga kjo situatë. Ne e shohim me sy tjetër. Ne na shqetëson ajo që shqetëson njerëzit: mungesa e perspektivës, mungesa e asaj dritës në fund të tunelit, mungesa e mundësisë për të shtyrë muajin. Pra të gjitha këto probleme sociale i trajtojmë me humor që të shkojnë sa më mirë, pra mesazhi shkon më mirë te publiku; edhe qeshin, edhe kuptojnë diçka që në vend ka diçka që nuk shkon. Cili është qëllimi ynë? Qëllimi ynë është thjesht që t’i argëtojmë, thjesht të japim një mesazh për aq sa mundet ta japim. Kush e kupton, e kupton, kush s’e kupton pak rëndësi ka. E rëndësishme është që është kënaqur dhe ka kaluar një 2-3 orësh simpatik.
Jeni personazhe shumë interesantë ju te ”Apartamenti” megjithatë unë do të pyes për marrëdhënien që ke me Albano Bogdon. U përfol për një sherr mes jush…
Me Albanon…(Qesh). U përfol për një sherr të madh , për grushte…
Mos ishte ndonjë grep për pak më shumë promocion të spektaklit?
Jo jo. S’ka lidhje! Ne në fakt, në punën tonë mund të zihemi 18 mijë herë në ditë. Zihemi, pajtohemi, zihemi. Thuhet në një lokal, por lokali mund të jetë edhe lokali ku pimë kafe.
Si është e vërteta?
E vërteta është kjo: Ne mund të kemi bërë një diskutim pak me tone të larta dhe jemi pak gojëkeq nga natyra (Qesh). Dikush që mund të ketë qenë aty afër e ka dëgjuar këtë por s’ka patur asnjë lloj dashakeqësie. Thanë ”u zunë me thika”. Por nuk është e vërtetë. Ne jemi temperamente pak të flakuara dhe ndoshta kushedi si e kanë marrë, ”këta po zihen” dhe mjafton një lajm…
Çfarë mendon për të si artist?
Albano është i talentuar. Është me të vërtetë i talentuar, është njeri i lexuar, është i informuar goxha brenda profesionit. Po anën më të fortë Albano e ka te energjia, batuta, te mënyra si i percepton gjërat, është krejt origjinal si i percepton fenomenet dhe si i trajton pastaj në skenë. Është aktor që nuk të lë në baltë, është partner i mirë. Unë jam shumë komod që punoj me të, më ndihmon.
Ju të talentuarit jeni gjithnjë bashkë. Ti, Ermal Mamaqi, Gentian Zenelaj, Albano Bogdo etj. Është një lloj pakti që ju keni me njëri-tjetrin për të realizuar projekte që funksionojnë apo rastësi?
Nuk është se kemi bërë ndonjë pakt, por ndonjëherë vijnë. Producentët zakonisht priren të marrin njerëzit që mund t’u shesin spektaklin. Mendoj se është sa preferencë por edhe nevojë për ta shitur. Producentët ndonjëherë i bien edhe shkurt: shohin kush janë ato ”fytyra” që mund ta bëjnë punën. Megjithatë ndoshta s’është ky rasti por me këto emra që përmende ti kemi gati 13 vjet në treg. Jo vetëm ne, apo aktorët e ”Portokalli”-së. Ne jemi pak a shumë ata që e kemi filluar epokën e re të humorit në Shqipërinë, këtë të renë, post viteve ’97.
Dua të shkoj natyralisht te pyetja që mund t’i interesojë audiencës. Cili është raporti yt tani që flasim me Gentian Zenelajn?
Për momentin s’kemi asnjë lloj raporti. Nuk kemi asnjë komunikim. Kemi punuar shumë vite, shumë afër. Pothuajse si një ”bark”. Mirëpo jeta qenka shumë e çuditshme, edhe të ndan, edhe të bashkon, ku e di unë se çfarë do ndodhë. Për momentin sot nuk kemi asnjë lloj komunikimi, ai vazhdon projektin e tij në televizion tjetër…
Si e shikon projektin e tij, e ke parë ndonjëherë veten duke prezantuar një emision të ngjashëm, investigativo-satirik?
Nuk është se nuk e shoh veten. Mund të jem pjesë e një emisioni të ngjashëm, pjesë e një emisioni tjetër. Nuk është se po bëj seleksionim që këtu nuk do jem më kurrë.
Por unë mendoj se njeriu e jep më të mirën e tij aty ku e ka habitatin natyral. Unë mendoj se habitati ynë natyral është skena, nuk është një studio ku mund të bëjmë gazetarin.
Pse nuk flisni ju të dy, a keni tentuar ta rregulloni marrëdhënien?
Jo, nuk ka patur asnjë tentativë për ta rregulluar marrëdhënien. Nga unë jo njëherë, nga ai nuk e kam idenë. Sikur erdhi natyrshëm që mos flasim më. Nuk është se ka patur ndonjë hatërmbetje. Unë akoma nuk e kam të thënë, apo diskutuar me të se ku qëndron problemi. Unë nuk e di me të vërtetë.
Pas momenteve të fundit te ”Apartamenti” ne i vazhduam kontaktet por më vonë u ”ftuan” marrëdhëniet dhe nuk folëm më. Unë nuk kam hatërmbetje me asnjë njeri, por tani kam, sepse është i detyruar të më shpjegohet për gjithë miqësinë që kemi patur, por jo se e ka për detyrë. Kam përshtypjen që kjo që po flasim nuk është se u intereson njerëzve. Njerëzve u intereson të na shohin mirë në punët tona, se ç’muhabet kemi ne me njëri-tjetrin mbase publikut nuk u intereson.
Por ama ”SHBLSH” dhe treshja juaj te ”Apartamenti” i mungon publikut. Çfarë do veçoje profesionalisht te Zenelaj dhe Mamaqi?
Secili nga ne ka patur gjërat e veta në treshe. Ne kemi qenë të pozicionuar në mënyrë tejet organike. Nuk e kemi thënë me fjalë që ”ti do jesh këtu”, jo. Organikisht kemi shkuar në vendet që neve na përkasin. Genti ka qenë ai që mbante shtyllën e emisionit, unë krijoja rrëmujën me energjinë me ndonjë batutë kurse Ermali ka qenë ai që këpuste batutën dhe mbyllte situatën. Pak a shumë këto role kanë qenë të ndara, këto janë role aktorësh, të ndarë organikisht. Tani secili ka patur vlerat e veta. Ne pa njëri-tjetrin nuk bënim dot. Nuk funksiononim dot, sepse ishte si një shtëpi me 3 trarë që do binte.
Megjithatë tani po funksiononi të tre më vete…
Sepse kemi gjetur një mënyrë alternative për ta bërë punën. Kjo nuk do të thotë se u ndamë dhe ”rashë e vdiqa”. Ne kemi gjetur një alternativë tjetër për t’iu përshtatur disa partnerëve të rinj, me të cilët po punojmë. Absolutisht çdo aktor i spektrit tonë ka vlerat e veta. Edhe kolegët e mi sot, por edhe ish-kolegët e mi që vazhdoj t’i kem kontaktet shumë të mira me ta, kanë vlera dhe kontribut të jashtëzakonshëm në humor. Të gjithë kemi patur grafikët tanë, diku më lart, diku më poshtë, diku më shumë, diku më suksesshëm por ama ata kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në komedibërjen në vend. Mos harrojmë që pas ’97 Shqipëria vinte nga një errësirë totale në këtë drejtim, deri në 2003-2004 kur filluan dhe lulëzuan spektaklet, i pari ”Portokalli”.
Meqë e përmende, a mund të na thuash ç’ndodhte pas kuintave në ”Portokalli”. A u bë mbytës për ju ambjenti, përderisa edhe ikët?
Një profesor na thoshte gjithnjë: Asnjëherë mos i tregoni spektatorit se çfarë ndodh prapa kuintave sepse mbetet një sekret profesional. Ambjenti atje ka ndryshuar. ”Portokalli”-a është spektakël që i jep mundësinë që çdokujt të shpërfaqet. Të gjithë aktorët aty janë kontributorë të mirë në këtë Shqipërinë tonë dramatike, duke dhuruar humor.
”Portokalli”-a padiskutim që ka qenë në fillesa shumë të mira, nuk ka funksionuar siç funksionon sot, sot funksionon më me hatërmbetje mes njëri-tjetrit, në ambjente jashtë pune. Dikur ne punonim të gjithë për të gjithë, një atmosferë pune e jashtëzakonshme. Sot nuk e di, por dyshoj të jetë e tillë, edhe nga informacionet që kam, dyshoj se mund të jetë një atmosferë e njëjtë. Gjithsesi mendoj që ata prodhojnë, ne prodhojmë, ”Al Pazari’ prodhon në një realitet që nuk është edhe aq i lehtë.
Le të flasim për një personazh të talentuar të ”Portokallisë”, Gazmend Pajën, i cili duket sikur ka një të përbashkët me ty…
Që është përfshirja në politikë…(Qesh)
Po. Përfshirja në politikë.
E përgëzoj Gazin që përfshihet! Absolutisht! Më bëhej qejfi shumë.
Edhe pse jeni në krahe të ndryshme politike?
Nuk ka asnjë problem! Nuk do të thotë që t’i kemi të gjithë me vete. Gjithsekush ka mendimet e veta, bindjet e veta, miqësitë e veta, padiskutim fare! Unë mendoj që sa më shumë njerëz të tillë, si Gazi, si unë, të përfshihen politikisht aq më mirë sepse duke u përfshirë ne shtyjmë ata njerëz që nuk janë adapt për atë punë ose që mund t’i kenë shkaktuar edhe dëme këtij vendi. Unë e shoh si vlerë të shtuar të asaj partie nëse Gazi është përfshirë politikisht, edhe pse ai ende nuk ka thënë diçka zyrtare që është përfshirë, ndërkohë që unë po.
Është angazhuar në audicionet e FRESSH-it…Ka dalë në krahë të politikanëve, së fundmi me Veliajn…
S’ka rëndësi. Për mua ka bërë një zgjedhje shumë të mirë, pavarësisht se në një parti tjetër por më mirë debatoj me Gazin se me një person që nuk e di se ç’është debati. Gjithsesi debati mes meje dhe Gazit do jetë gjithmonë konstruktiv, gjithnjë për të mirë. Kështu që nuk kam asnjë ndjesie negative. Përkundrazi më bëhet qejfi shumë!
Përderisa e ke zgjedhur edhe vetë pozicionimin…
Padiskutim. Unë mendoj që nuk është asgjë e keqe.
A është e vështirë që artisti të bëjë edhe të angazhuarin në politikë? Ti vetë si e mban balancën? Sa përqind të kohës gjatë ditës shpenzon për artin, sa për politikën?
(Qesh) Po nuk i kam ndarë me përqindje…Aktrimi është puna ime e përditshme, buka ime e gojës. Politika nuk është buka ime e gojës! Pra edhe të mos e bëj, nuk më shkakton asnjë lloj problemi. Kurse termin ”merresh me politikë” nuk e kam aspak qejf, meqë angazhohem apo them 2-3 reagimet e mia në ”Facebook”, këto janë perceptime të miat ndonjëherë të momentit, ndonjëherë të menduara.
Por tërhiqni më shumë vëmendje se të tjerët. Publiku juve ju sheh me shumë kujdes në postimet që bëni. Sepse jeni figura publike, nuk jeni anonimë…
E vetmja gjë që mund të bëjmë për publikun në këtë rast është që ne të tregohemi të sinqertë. Unë bindjet e mia nuk i fsheh, jam i pozicionuar, por ama e rëndësishme është të mos gënjej. Të them atë që mendoj, ky është ky këndvështrimi im, por pa fshehur bindjet e mia. Unë nuk mund t’u them të tjerëve që jam i pavarur. Unë tashmë jam i deklaruar. Kjo nuk më bën më pak të talentuar se u deklarova. Këtë mendim kam. Nesër mund të tërhiqem, nuk e di se si do më ecë, por sot jam ky dhe mendoj këtë gjë për ”X” gjë. Dikush e sheh me një sy tjetër, e respektoj padiskutim. Ndonjëherë e shoh edhe në ”Facebook” që nuk kuptohem. Edhe një herë, është mendimi im! Ai profil nuk është i Partisë Demokratike, është mendimi im, pavarësisht se e them ku aderoj dhe ku është pikëpamja ime. E mirë apo e keqe, unë këtë kam. Kush ta pëlqejë le ta pëlqejë, kush të mos e pëlqejë, të mos e bëjë!
Shumë artistë thonë që janë të pavarur…
Nuk besoj. Të gjithë kemi ndonjë bindje. Tani nuk janë të angazhuar, kjo është gjë tjetër. Por të pavarur nuk besoj. Dashje padashje na ka kapur një dramë e madhe që çdo gjë e kemi të lidhur me politikën ”e dreqit”.
Mendon që artistët janë konformistë ndaj qeverisë…
Artistët kanë një problem të theksuar: nuk bëhen bashkë për asgjë. Janë ”qeveri” më vete të tërë. Duke mos u bërë bashkë janë në këtë derexhe, me këto paga, me këto kushte dhe me këtë trajtim që i bëhet në institucionet e artit. Unë kam patur një prononcim, kundrejt një qëndrimi që ka mbajtur drejtori, ose më mirë ”Ç’drejtori” i Teatrit Kombëtar, ku ai u shpreh me tone raciste ndaj një aktori, ndaj prejardhjes së tij.
Që ai të vërë në dyshim, apo të japë një mendim për aktorin si aktor është e drejta e tij, sepse aktori është një profesion subjektiv, mua më pëlqen, ty nuk të pëlqen. Këtu biem dakord gjithë ditën e ditës. Por që ai të denigrojë një vend, apo prejardhjen e tij sepse atij nuk i pëlqen që aktori ka ardhur dhe ka folur në protestë për mua nuk bën sens. Aq më tepër që është një drejtues i lartë i një institucioni të lartë artistik në Shqipëri, për mos thënë më i larti: Teatri Kombëtar. Që do të thotë se ty nuk të lejohet sepse ti një person që paguhesh nga taksat e mia, ke shkuar atje për të më shërbyer mua dhe për të dhënë llogari një më një. Nuk mundesh ti ta trajtosh si pronë dhe të bësh çfarë të duash ti. Në asnjë mënyrë! Ti profesor ke shkuar atje të japësh llogari dhe të bësh punën dhe jo të merresh me fjalë. Një personi normal nuk i lejohet të bëjë deklarata raciste, krahinore se e dënon ligji, jo më një drejtuesi të lartë.
Megjithatë mospëlqimi nuk është këtu. Pëlqimi im është në performancën e tij. Unë e ndoqa në analizën e tij, ka gënjyer nga fillimi deri në fund. Ai po fliste për shfaqje cilësore apo për shpërblime aktorësh për cilësinë e rolit. Kush është ky organ, kush është ky panel që vlerësokan cilësinë e një aktori se këtu jemi vend klientelist, këtu ecim me preferenca. Atëherë si, në ç’kritere apo baza e vlerëson ti aktorin, i mirë, i keq, bukur rolin apo keq rolin?! E dëgjova dhe zgjidhjen që dhanë dy zotëritë atje, ishte që do vinte regjisori dhe do e vlerësonte. Por nuk mund ta bëjë regjisori këtë! Sepse edhe mendimi i regjisorit është subjektiv, sepse mund ta ketë shok, shoqe, të dashur, vëlla. Çfarë është kjo? Dhe si rezultat i kësaj të jap lekë unë nga një buxhet me taksat e njerëzve t’ia jap dikujt që ka preferencë regjisori?! Nuk ka sens.
Çfarë duhet të bëjë Çuli për teatrin?
Pse 8 milionë gjëra që unë kam do t’i them brenda një interviste?! (Qesh)
E para, të hapë teatrin. Të bëjë funksional audicionet. E ka mbyllur teatrin. Janë të njëjtët njerëz. Ka ca gabime të frikshme. Janë me kontratë njerëz që nuk kanë as diplomën për aktorë, sepse në kontratë parashikohet që aktori duhet ta ketë diplomën.
E dyta, janë aty njerëz me kontrata që nuk kanë bërë asnjë rol, me kontrata 1-vjeçare. Për çfarë e marrin paranë ata?!
Pra, të hapë teatrin, të institucionalizojë audicionin, të bëjë të mundur që njerëzit të provohen, por ta bëjë të mbrojtur, jo audicion për hir të ”audicionit” por ta institucionalizojë. Të mbrohet kjo formë. Pra të jetë një grup njerëzish që i vlerësojnë pa patur konflikt interesi, pa patur lidhje. Tani ti mund të thuash që është shumë e vështirë se jemi vend i vogël. Jo. Bëhet. Duket kur e vlerëson për atë që bën dhe duket kur tjetri e vlerëson se ka një interes. Një të talentuar, atë që e nxjerr rolin bukur nuk e fsheh dot sepse ta vlerëson publiku, ta vlerëson media etj etj. Por as njeriun e paaftë nuk e fsheh dot, sepse sërisht do duket. Teatri është një hinkë e madhe, edhe gabimin më të vogël të bësh, tek ne vjen e amplifikuar. Janë mijëra e mijëra gjëra që mund të bëjë, por janë disa gjëra imediate që duhen bërë se nuk mund të bësh një staf dhe të ndërhysh te regjisorët që të marrin njerëzit që do ti. Jo, në asnjë mënyrë. Teatri është teatër. Është arena e të gjithëve. Të gjithë duhet të çojmë platformë, të shprehemi apo bëjmë një provë por ama të merren seriozisht. Pastaj ka edhe disa rregullime të tjera që janë çështje bazash ligjore. Por duhet të kesh vullnetin për ta bërë. Çuli nuk ka asnjë lloj vullneti.
E di pse unë nuk sulmoj Ministrinë e Kulturës? Ministria e Kulturës mund të ketë 8 mijë gabime, unë jam ulur personalisht me zonjën ministre dhe ajo më ka thënë planin e saj për këto 4 vjet megjithse unë i kam thënë ”kështu si e thua ti është shumë e bukur për të qenë e vërtetë”. Unë po pres që ato që më ka thënë të bëhen, nëse nuk bëhen do kem reagimet e mia. Pra hyj te njerëzit që dëgjoj dhe pres.
Në një bisedë miqësore ministrja më ka thënë që do bëhet një teatër i ri, këta aktorë do të shkojnë atje, në teatrin Turbina, derisa të ndërtohet teatri i ri. Dua ta besoj. Është një gjë e mirë nëse ndodh kështu. Deri tani nuk është realizuar, por atje po bëhet një punë. Nuk mund ta paragjykoj.
E thashë këtë për parantezë se unë nuk e paragjykoj Çulin por deri tani ai nuk e ka bërë punën e tij. Kemi parë shfaqje sorrogato, profesionalisht janë shumë poshtë, nuk e meritojnë fare të hyjnë në teatrin kombëtar, të cilat ai vetë m’i interpreton si shfaqje të mira. Atëherë kush është kriteri i shfaqjes së mirë? Se mbledh njerëz? Njerëz mbledh edhe një budallëk që mund ta bësh në rrugë, mbledh 2 mijë veta që të shohin por nuk është ky kriteri. Njerëzit vijnë dhe nga kurioziteti, po a dalin të kënaqur nga shfaqja? Që mos t’i hyjmë dhe ngrohjes…
Në fund të kësaj interviste s’mund të lë pa të pyetur për bashkëshorten. Si funksiononi ju të dy?
Për Armandën… Ajo është ”shoku” më i mirë i jetës sime! Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me ”njëra-tjetrën” (Qesh). Kuptohemi në mënyrë të shkëlqyer.
Jeni shokë?
Jemi shokë. Padiskutim fare. Vetëm cigare nuk pimë të dy, pi vetëm unë. Jemi shumë shokë në jetë, kuptojmë njëri-tjetrit. Ajo ka qenë shumë e mirëkuptueshme. Me jetu me një person të tillë si unë, që nuk e di se kur mblidhet në shtëpi është problem. Fakti që mua më ka ecur, është edhe si rezultat i mirëkuptimit nga ana e saj dhe mendoj se kjo duhet vlerësuar.
Nuk ka recetë, por çfarë mendon se e mban një lidhje kaq gjatë dhe kaq fort?
Shoqnia. Dashuria padiskutim. Kuptimi me njëri-tjetrin. Për çfarë në botë ia vlen që mos jesh shok me njeriun e jetës? Tani çfarë, t’i mbajmë rezerva njëri-tjetrit?!
Pra, ti je me fat që ajo të duron?
(Qesh)I thonë asaj njerëzit ”Po si e duron atë?!” ndërsa ajo me habi më pyet mua: ”Po çfarë ke ti për t’u duruar?!”. Unë thjesht i përgjigjem ” Tani s’të bën më përshtypje, je mësuar!”/ Valmora Gogo-SHUPLAKA
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1282″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]