Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka mbërritur në ambientet e hotel “Tirana”ku do të takohet me kreun e PS-së, Edi Rama. Në shoqërinë e ministres Klajda Gjosha, meta ka mbërritur në vendin e takimit pas mbërritjes së Petrit Vasilit dhe Luan Ramës.
Përpara se t’u drejtohej ambienteve të brendshme, ai u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve. I pyetur për pikën kryesore të këtij takimi, atë të vazhdimësisë ose jot të koalicionit qeveritar, Meta është shprehur se marrëveshja e vjetër është ende në fuqi, ndërkohë që Aleanca për Shqipërinë Europiane ka si qëllim garantimin e paprekshmërisë së votës.
“Jemi transparent… Kjo është marrëveshja e vjetër që ende është në fuqi edhe që ka një problem të vogël, që ka angazhimin madhor të Aleancës Europiane. Marrëveshja e re lind nga vota e lirë. Te vota e lirë nis çdo gjë! Kjo pikë zgjidh çdo gjë.”. ka thënë Meta.
I pyetur në vijim mbi takimin e këtij mëngjesi me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe për çështjen tjetër mjaft të diskutuar, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, kryetari i LSI-së, tha se Idrizi është një koleg bashkëpunues, ndërsa emri i Presidentit të ri vjen nga konsensusi.
Sa për kreun e Partisë Demokratike, ai tha se është i mirëpritur për takim me çdo factor që zgjidh situatën duke garantuar paprekshmërinë e votës.
“Z.Idrizi është një koleg që bashkëpunojmë në të gjitha planet, është edhe nënkryetar Kuvendi. Emri i presidentit për mua është konsensus! Me kënaqësinë më të madhe me cdo faktor që zgjidh situatën dhe të garantohet paprekshmëria e votës!”, u shpreh më tej kreu i LSI-së.
(XH.A/SHUPLAKA)