Policia nuk ka rënë ende në gjurmët e grabitësve të cilët mbrëmjen e djeshme i morën jetën 53-vjeçarit Agim Buci.
Për këtë arsye uniformat blu rritën shpërblimin për çdo informacion të vlefshëm deri në 5 milionë lekë.
Agim Buci nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra ndërsa bashkëshortja, Merita Buci, vijon të jetë në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Ata u përleshën me grabitësit në sy të djalit të tyre 6-vjeçar, i cili u fsheh poshtë banakut të marketit.
Mësohet se në arkë nuk kishte më shumë se 9.600 lekë të xhiros ditore. Sipas burimeve, dy grabitësit kanë qenë të maskuar me kapela dhe, ndonëse janë fiksuar nga kamera e sigurisë jashtë minimarketit, nuk është bërë ende identifikimi i tyre.
E ndërkohë, fqinjët e tyre shprehen të tronditur për ngjarjen.
“Shumë punëtor, shumë njeri i mirë dhe i nderuar në lagje. I respektueshëm”, tha një banor i zonës.
“Ishte një shembull i një familjeje që mundohet të ndërtojë jetën në bazë të asaj ndershmërie, për të cilën është shumë e vështirë sot të gjesh fjalë”, tha një tjetër banor.
Më herët gjatë paradites, familjen Buci e vizitoi edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili shprehu ngushëllimet dhe foli për një situatë të rënduar të rendit që po shoqërohet sipas tij jo vetëm me grabitje por edhe me humbje jetësh.
Discussion about this post