“Ne nuk e pezulluam arbitrin. Jo, ishte në shtyp. Ne nuk pezullojmë arbitra. Ne diskutojmë kur diçka shkon keq, por është e vështirë të pezullosh një arbitër”. Këto kanë qenë deklaratat e bëra nga presidenti i UEFA-s, Ceferin, në të kaluarën në lidhje me arbitrat.
Vendimet e tyre shkaktojnë zemërim, por nuk duhet të harrojmë se arbitrat janë gjithashtu njerëz. Ata, si të gjithë ne, gabojnë dhe më poshtë janë pesë raste kur një arbitër ka kërkuar falje pas një gabimi.
1. “Syzet” e Sergio Ramos
Kur Spanja luajti kundër Rumanisë në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020, Sergio Ramos shënoi me penallti dhe festoi duke bërë gjestin e syzeve. Ai u ndëshkua menjëherë me karton të verdhë nga arbitri, po pse?
Arbitri mendoi se Ramos bëri një gjest tallës, por spanjolli shpjegoi të vërtetën pas ndeshjes, duke thënë: “Kam folur me arbitrin. Festimi im ishte një dedikim për nipin tim, që mban syze që të shohë si unë”.
Arbiri i kërkoi falje Ramos-it për keqkuptimin.
2. Arbitri që u kthye në “meme”
Në 2018-ën, Everton luajti kundër Newcastle dhe një incident dramatik ndodhi gjatë ndeshjes: një prekje e topit me dorë në zonën e rreptësisë. Por arbitri, anglezi Bobby Maddley, nuk dha penallti. Një skandal i vërtetë.
Maddley tha se nuk e pa prekjen e topit me dorë, por duhet të kemi parasysh se po flasim për një kohë kur nuk ekzistonte VAR, edhe pse duhet pranuar se teknologjia nuk është se i ka bërë gjërat më të lehta.
Gjithsesi, nëse do të kishte pasur VAR, Maddley do të kishte patur mundësinë ta shikonte përsëri aksionin. Ai kërkoi falje, duke thënë: “Nuk e kam parë, më vjen keq”.
Megjithatë, lojtarët kanë qenë shumë të pakënaqur pavarësisht faljeve të kërkuara nga arbitri, i cili më pas ka bërtitur: “Ju kërkova falje!”. Pjesën tjetër më pas e ka bërë Twitter-i.
3. Penalltia e dhuruar që mund të vendosë kampionatin
Ish-kapiteni i Liverpool-it, Steven Gerrard, është aktualisht trajneri i Rangers në Skoci dhe në dhjetorin e 2019-ës arbitri John Beaton mori një vendim të diskutueshëm që mund të ketë pasoja të mëdha në fund të sezonit.
Cili ishte vendimi? Një faull ndaj një lojtari të Rangers u duk sikur ndodhi brenda zonës së rreptësisë, por arbitri dha një goditje dënimi jashtë zonës. Rangers nuk shënuan dhe ndeshja u mbyll në barazim 2-2.
Rivalët e tyre për titullin, Celtic, e fituan ndeshjen e tyre dhe kaluan dy pikë para Rangers në renditje. Pas ndeshjes, Beaton i ka thënë Gerrard-it se e kishte rishikuar faullin dhe se duhej të kishte dhënë një penallti.
A do të vendoset titulli nga ky vendim?
4. Dita kur arbitri kërkoi falje në televizor
Super Lig-a e Turqisë është një kampionat me tifozë shumë të zjarrtë dhe një ditë, pas një barazimi 1-1, trajneri i Kasimpasa po jepte një intervistë pas ndeshjes kur u ndërpre nga arbitri Denis Çoban, i cili ka kërkuar falje.“Ju kërkoj falje juve si trajner, të dy skuadrave dhe Federatës Turke të Futbollit, ashtu si dhe shoqatës së arbitrave dhe duhet të konsideroj të ardhmen time pas kësaj që ndodhi”, ka thënë ai.
Si u përgjigj trajneri?
“Ne të gjithë bëjmë gabime, por fakti se ju patët guximin për të ardhur këtu dhe për ta pranuar, meriton respekt. Mos mendoni të largoheni nga profesioni, loja ka shumë nevojë për njerëz si ju”, ka thënë Ramiz Çalimbay.
5. Kur arbitri kërkoi falje pas një ndeshje të Kupës së Botës
Në 2006-ën, Autsralia luajti dhe fitoi 3-1 kundër Japonisë në ndeshjen e parë të kompeticionit. Megjithatë, arbitri ka kërkuar falje pas ndeshjes, shkruan Telesport.al.
Para se Japonia të shënonte, një nga lojtarët e kombëtares aziatike u përplas me portierin e Australisë. Arbitri duhet të kishte dhënë faull, por ai vendosi ta vlerësonte si të rregullt golin.
“Në fund të ditës, arbitri bëri një gabim, por të gjithë bëjmë gabime dhe unë mendoj se pranimi i gabimit nga ana e tij është një gjë e madhe dhe mendoj se bëri një punë të mirë gjatë ndeshjes”, ka thënë portieri i Australisë, Mark Schwarzer.
Tani që e kuptojmë se edhe arbitrat janë njerëz, është radha jonë si tifozë që të kërkojmë falje për të gjithë ato fyerje që kemi lëshuar drejt tyre nga shkallët e stadiumit ose para televizorit.
Na falni!
Discussion about this post