Edhe Milano në Itali po mbyllet në përpjekje për t’u mbrojtur nga koronavirusi, që tashmë ka mbërritur në qytet me rastin e parë të një infektuari, një dermatologu nga Policlinico, njofton ANSA.
Nga shkollat te teatro, tek muzetë, kinematë, baret e lokalet e natës nga ora 18 deri në 6, të gjitha janë të mbylluara për 7 ditë dhe mund të shkojnë deri në 14 ditë sipas urdhëresës së nxjerrë nga Rajoni i Lombardisë, që parashikon pezullimin e ngjarjeve apo evente të çdo lloji ose të çdo forme mitingu publik, përfshirë edhe ato kulturore.
Gjithçka është ndryshe tani në qytet, por funeralet dhe dasmat janë kursyer po vetëm për të afërmit, ndërkohë që njerëzit janë derdhur në supermarkete për të mbushur karrocat me ushqim , radhët janë të gjata dhe raftet bosh.
Ndërsa orët kalojnë, qyteti ngadalë mbyllet.
Është anuluar ndeshja Inter-Sampdoria, e planifikuar për në mbrëmje në San Siro, po ashty hyrjet në muze dhe ekspozita dhe më pas vjen kërkesa nga kryetari i komunës Giusepe Sala, që kërkoi ndërhyrje të kujdesshme për mbylljen e shkollave, që u pranua nga Rajoni.
Institucionet më të rëndësishme kulturore në qytet pezulluan shfaqjet dhe kinematë, filmat.
Teatri alla Scala pezulloi të gjitha shfaqjet si masë paraprake deri në udhëzime të tjera nga autoritetet.
Njoftimi është pezulluar edhe në italisht edhe në anglisht jashtë teatrit, për t’ua komunikuar vendimin dhe turistëve.
Baret, lokalet e natës dhe institucionet argëtuese duhet të mbyllen deri në një urdhër të dytë nga ora 18 deri në 6, ndërkohë që nuk ka kufizime për restorantet.
Edhe momenti simbolik i qytetit, Duomo, do të mbetet i mbyllur për turistët si masë paraprake deri më 25 shkurt.