Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka mbajtur sot një konferencë për shtyp ku ka folur dhe për arratisjen e ish-kundërshtarit të tij politik, Nikolla Gruevksi.
Zaev bëri apel që Gruevski të shprehet nëse është larguar nga vendi me vullnet të lirë apo është rrëmbyer.
“Ne do të bëjmë gjithçka që Nikolla Gruevski vuaj dënimin këtu në Maqedoni. Dhe publikisht po parashtroj pyetjen, duke ditur këtë, si kanë ndodhur gjëra, a e ka lëshuar vullnetarisht zoti Gruevski Maqedoninë, para se gjykata ta ketë lëshuar urdhrin për arrestimin e tij apo edhe mund të jetë rrëmbyer, pres përgjigje edhe nga Gruevski dhe nga Hungaria. Është e udhës që ne si shtet t’i bëjmë këto pyetje”, tha Zaev.
Ende mbetet në pikëpyetje se cila është vendodhja aktuale e Gruevskit, ndërsa në sistem rezulton se ai ka dalë nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit në datën 11 Nëntor, ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar në datën 13 Nëntor.
Mediat sot në Maqedoni hidhnin teza se Gruevksi gjatë këtyre ditëve është fshehur në zonë mes Vlorës dhe Sarandës, ndërsa mëngjesin e sotëm është nisur me skaf në drejtim të Greqisë dhe më pas Turqisë.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post