“Jo vetëm rrugën, por dhe aeroportin brenda vitit”. Kryeministri Rama ka bërë sot një premtim në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, ku një pjesë të fjalimit të tij ua dedikoi kuksianëve, hasianëve dhe tropojanëve.
Ai ka bërë një kthim pas në kohë duke bërë një apologji për të gjithë veriorët të cilët disa vite më parë i ironizoi si alpinë.
“Mbase ndonjëherë mund të them diçka më shumë seç duhet, por kurrë asnjëherë nuk kam parasysh asnjë njeri të zakonshëm që nga Tropoja deri në Konispol kurrë, kurrë.
Faji im, po, që kur thashë atëherë alpinët nuk thashë Saliu, djali, vajza , rrahmani, që u shfaqën si trashëgimtarë pronash afër detit, por faji im se thashë alpin në mënyrë sipas meje ironike për ti rënë derës që do të dëgjojë, por ajo derë nuk do të dëgjojë, ajo derë ka vetëm një trokitje që i bën derman, drejtësinë”, tha Rama.
Por përpara kësaj Rama u kërkoi falje banorëve të Kukësit për mostransparencën dhe premtoi se pagesa për kalimin në Rrugën e Kombit nuk do të bëhej para 6 muajve pasi të konkludohej mënyra se si do të operohej në vjeljen e kësaj tarife.
“Vajta në Vlorë fola para se të ndodhte ajo që ndodhi e thashë se do të hapim aeroportin e Kukësit, kazani menjëherë e pasqyroi; Edi Rama i merr kuksianët me të mirë i mbyll rrugën i hap aeroportin. Kuksianët do të kenë edhe rrugën edhe aeroportin dhe të dyja këto do të zgjidhen, rruga e para dhe aeroporti i dyti, brenda këtij viti”, tha ai.