Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ftuar dy herë nga Prokuroria Speciale që të dëshmojë për një rast në lidhje me rezervat shtetërore, por nuk ka pranuar të paraqitet para këtij organi. Kurti i ka ftuar prokurorët që ta intervistojnë në zyrën e tij, gjë që, sipas njohësve, është praktikë e kundërligjshme. A ka ndonjë afat kohor që përcakton se sa mund ta presë Prokuroria kryeministrin Kurti që të dëshmojë? Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e ftoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Por, dy ftesave të Prokurorisë, kreu i ekzekutivit kosovar iu përgjigj me një kërkesë: prokurorët të shkojnë dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.
As Prokuroria Speciale e as Qeveria e Kosovës, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse palët kanë rënë dakord për një datë për dëshmimin e kryeministrit.
Ndonëse që nga ftesa e parë ka kaluar më shumë se një muaj, njohësit e fushës së drejtësisë thonë se nuk ka një afat të caktuar kohor se sa mund ta presë Prokuroria kryeministrin Kurti që të dëshmojë.
Viona Bunjaku, hulumtuese ligjore në Lëvizjen FOL, thotë për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht se nuk ka një afat ligjor, Kurti duhet ta japë dëshminë e tij sa më shpejt.
“Në parimet e Kodit [të Procedurës Penale], është i mishëruar parimi i ekonomizimit të procedurës, që nënkupton se duhet të ndodhë sa më parë, e në të njëjtën kohë Prokuroria është e lidhur me afatin e hetimit, i cili është dy vjet. Por, në këtë rast, kjo duhet bërë sa më parë”, shprehet ajo.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se në çdo rast Prokuroria duhet të ruajë integritetin e hetimeve dhe të veprojë në bazë të ligjit, dhe ndaj dëshmitarit të marrë masa, që parashihen me Kodin e Procedurës Penale.
Sipas tij, “nëse prokurorët nuk kanë guxim profesional”, atëherë jo vetëm kryeministri, por edhe qytetarët e zakonshëm “mund të tallen dhe të mos e respektojnë autoritetin e Prokurorisë”.
Se sa mund të zgjasë e gjithë kjo situatë, varet nga ajo se kur ka marrë Prokuroria vendim për nisjen e hetimeve, dhe më pas nga kjo ndikohet edhe afati ligjor kur prokurori i rastit duhet të marrë vendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal apo ngritjen e ndonjë aktakuze, shpjegon Miftaraj.
“Sidoqoftë, prokurori, në asnjë rrethanë, nuk duhet të lejojë që dëshmitari të bëjë obstruksione në administrimin e procedurës penale, por duhet të ndërmarrë veprime procedurale për të zbardhur të vërtetën lidhur me rastin që ka në punë”, thotë ai.