Kreu i qeverisë Edi Rama, herë duke përmendur Kuranin, dhe herë duke i quajtur vëllezër, i kërkoi ndijmë sot turqve, për të bërë të mundur rindërtimin e vendit, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit.
Në fjalën e tij para biznesmenëve nga lindja e mesme, Rama tha se rikuperimi i dëmeve të tërmetit, i tejkalon mundësitë e shqiptarëve, edhe pse pak ditë më parë në Shqipëri do të shprehej se rindërtimi do të kryhet, edhe nëse nuk do të ketë asnjë qindarkë që do të jepet nga të tjerët.
“Asnjëherë nuk do të harrojmë dedikimin në terren të ekipeve tuaja që vendosën jetën në rrezik për të shpëtuar jetë të tjera. Faleminderit që jeni këtij me mua dhe që me kenë krijuar mundësinë të jem këtu. Dëshiroj të falënderoj secilin prej vëllezërve tanë që deri tani ka qenë shëmbëllim. Shqiptarët e të gjitha besimeve të pasur dhe të varfër dhanë dhe vazhdojnë të japin të gjitha ato që kanë. Na kanë ndihmuar të mbledhim një vlerë që për vendin tonë të vogël është shumë.
Të moshuar me një pension mujor kanë ofruar strehë për të pastrehët. Të rinj e të reja kanë lënë shkollën, punët për të ardhur në ndihmë të të prekurve nga tërmeti. Nuk ka nevojë të shpjegoj se i gjithë ky solidaritet është larg të qenit mjaftueshëm për të kapërcyer tragjedinë. Po kërkoj dritën në zemrat tuaja. Drita më e çmuar është ajo që të vjen në orën më të errët.
Kjo dritë pa tek Turqia një prej rrezeve të saj. Turqia e provoi edhe njëherë që i përmbahet urtisë së saj dhe nuk braktisi një mik dhe si thotë një shprehje e vjetër të ecësh me një mik në errësirës është më mirë se i vetëm në dritë. Kam ardhur këtu t’iu falenderoi për 500 banesat e t’iu kërkoj të jeni pranë nesh. Kurani na mëson se katastrofat njerëzore janë sprova. Dua që katastrofa që po kalojmë të kthehet në frymëzim, dhimbja të kthehet në forcë.
Katastrofa ka përkulur qytetet tona më të rëndësishme. Dua të besoj se edhe me ndihmën tuaj do arrijmë të bëjmë për Durrësin atë që Turqia bëri për Izmirin. Shumica e ndërtesave të shkatërruara janë struktura shumëkatëshe me nja dhjetëra familje. Ne besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj që është njerëzisht e përballueshme për ne. Përtej debateve tokësore le të kemi besim se zoti pranon vetëm atë që është e drejtë. Ju kërkoj falje që ndërhyra në konferencën tuaj, ju falenderoj me zemër për durimin”, u shpreh Rama.
Çfarë thoshte Rama 3 ditë më parë:
Por sidoqoftë ne do të vazhdojmë punën edhe për financimin njësoj sikur të mos kishim asnjë lek nga askush.
Skenari i përgatitur nga Ministria e Financave në bashkëpunim me kryetarin e Komitetit Kombëtar për Rindërtimin që praktisht do të jetë program i veçantë në buxhetin e shtetit është ndërtuar në mënyrë të tillë që gjërat të bëhen pavarësisht sesa fonde do të vinë nga jashtë.
Zërë se nuk do të vijë asnjë lekë. Dhe në proces do të axhustohen numrat me mekanizmat në varësi nga nevoja apo fondet që vinë.
(E.K/Faxweb.al)