Ka nisur në Kuvend interpelanca që ka thirrur deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, me kryeministrin Edi Rama sa i takon procesin të Ballkanit të Hapur. Shehu hodhi akuza ndaj Ramës, se ky proces është duke realizuar ëndrrën e kahershme të Vuçic për Serbinë e madhe, përmes idesë së tij për të shkëmbyer territoret e Kosovës.
“Të nderuar deputet, zoti kryeministër, së pari ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë interpelancë, pasi përfshin një sërë çështjesh për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Këtu kërkohet një diskutim i gjërë, që duhej bërë përpara se kjo nismë të zbatohej dhe të cënonte procesin e Berlinit.
Aq shumë u involvuat ju në këtë projekt së bashku me Vuçiç, ku ju u shpërblyet me duartrokitje në parlamentin e Serbisë. Por me siguri nuk do të ndodhte e njëjta gjë në Kuvendin e Kosovës, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe ndoshta as në Kuvendin e Maqedonisë pas dorëheqjes së Zaev. Kjo nismë është montuar me idenë serbe, që donte të kishte Serbinë e Madhe, përmes shkëmbimit të territoreve.
Ajo që thatë në Ohër se minishengeni u krijua për shkak se në procesin e Berlinit kishte në çdo nismë nga një shtet që merrte veton, është gënjeshtër, pasi vetëm Serbia ka vendosur veton për shkak se nuk njihte Kosovën.
Kjo nismë është një dështim, pasi e patë rezultatin që dhanë zgjedhjet në Maqedoni, madje u braktise dhe nga Vuçiç, i cili shkoi në Rusi dhe ju la vetëm ju në konferencë. Shkoi atje për të marrë garancitë e Rusisë dhe Kinës për përplasjen me Kosovën”, u shpreh Shehu.