Mjaft interesante është një histori që risillet e një takimi mes At’ Zef Pllumit dhe kryeministrit të sotshëm Edi Rama. Sipas Henri Çilit takimi ka ndodhur pak ditë pas marrjes së kreut të PS-së nga ana e Ramës në 2005-tën.
“Kur Edi Rama u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, në tetor të vitit 2005, disa ditë më vonë Rama dhe At’ Zef Pllumi shkëmbehen në hollin e hotel Sheraton dhe thuhet se ndodhi kjo bisedë.
Ati i thotë Edi Ramës:
– Edi, je bà kryetar i komunistave? Rama, në siklet prej batutës, ia kthen:
– At’ kështu e kanë këto punë. Kurse Ati, shton:
– Por nejse mir’, se mà mirë se ti nuk ka kush e shkat’rron at’ parti, partin’ e Enver Hoxhës”, shkruhet në librin e Çilit.
Në librin e tij Çili analizon si kanë ndryshuar qasjet e Edi ramës, prej vitit 2009, në 2013, deri në fitoren e zgjedhjeve më të fundit.
PJESË NGA DEKLARIMET E HENRI ÇILIT:
Nëse populisti Edi Rama, në vitin 2009, iu paraqit shoqërisë shqiptare si reformist dhe dështoi, në 2013-n, me një taktikë elektorale, ai ndërmori diskurs populist, antireformist dhe arriti të grumbullonte një shumicë, duke mbledhur kundërshtimin shumëngjyrësh të reformizmit, kundër reformave për të bërë një shumicë prej 1 milion votash.
I kam sugjeruar, ndoshta dhe në mënyrë cinike, se sa më shumë ta braktisë programin e 23 qershorit, aq më mirë do të ishte për të dhe për Shqipërinë. Fatmirësisht, Edi Rama e bëri këtë në esencën e tij.
Nën këshillat e Tony Blair dhe Alaister Campbell, ai braktisi populizmin punist të kundërreformës dhe adaptoi një version të moderuar të Rrugës së Tretë; midis filozofisë bashkëkohore e konkurruese mbështetur mbi bazat filozofike të filozofit John Rolls dhe parimit të tij të famshëm të drejtësisë sociale.
Katër vite më vonë, në fushatën e 2017-s, ndihmuar nga tiparet komunikative, Rama arriti që, me të gjitha reformat e thella dhe antipopullore në plan të parë, pra krejt të kundërta me programin e mëparshëm, të bënte një shumicë, ndihmuar edhe nga një kontrast i tmerrshëm, opozita e Lulzim Bashës.
Lideri i ri dhe i pastërvitur i opozitës, Luzlim Basha, me diskursin mbi arsimin falas, mensat falas, energjinë elektrike falas dhe teza prej së majte, të thëna nga një parti e djathtë, e cila kishte sjellë kapitalizmin në Shqipëri, duke e ndërtuar dhe duke dhënë kontribut të madh, bënë që skema të dukej false, diskursi ambientalist, kontrasti të thellohej më shumë, duke ia lehtësuar Edi Ramës fitoren e një mandati si parti më vete, në dukje i paimagjinueshëm dhe i pamundur, pasi mori dhjetë deputetë më shumë se në koalicion
(E.K/SHUPLAKA)