Pas lajmit për vdekjen në moshën 68-vjeçare të yllit të kinemasë shqiptare, Bujar Lako, kryeministri Edi Rama shkroi fillimisht ndër të tjera se kishte qenë në moshë të vogël kur e njohu aktorin. E më pas, ai i ka kushtuar një vend edhe Bujar Lakos në rubrikën e tij “Amarcord”.
Rama shkruan se nuk ka regjizor që nuk do të donte ta kishte Bujar Lakon në fazën e lulëzimit mbreslënës të tij. Ai shpjegon se aktori rridhte nga një familje ku ishin të rrënjosura fort atdhedashuria dhe humanizmi.
“AMARCORD
Nuk besoj se do të kishte një regjizor të madh që s’do ta kishte dashur Bujar Lakon në fazën e lulëzimit mbresëlënës të talentit të tij kinematografik.
Aktori që luajti një mori personazhesh dhe, midis tyre, figura të shquara e të dashura të historisë sonë, rridhte nga një familje e rrënjosur fort në atdhedashuri dhe humanizëm. Prej nënës së tij, ai i përkiste njërit prej degëzimeve më fisnike të Frashërllinjve, derës së Sulejmanbellinjve.
U prehsh në paqe i shtrenjti Bujo, ylli yt në qiellin e kinemasë do të ndrisë përgjithnjë për të dëshmuar pavdekësinë e artit tënd!”, shkruan Rama.