Nga Andi Bushati
Kjo e enjte është një ditë që do të hyjë në historinë e kuvendit të Shqipërisë. Jo për faktin se 75 deputetë sejmenë të Edi Ramës ngritën katronat për të shkatërruar Teatrin Kombëtar. Jo se ata po i zhvasin Tiranës një nga monumentet e pakta që evokojnë periudhën kur ajo filloi të vinte era qytet.
As se këtu kemi thjeshtë të bëjmë me një grabitje të pastër, nga ato të cilat qeverisjet në Shqipëri prodhojnë vazhdimisht. As se u përdhosën disa ligje të rëndësishme dhe u shkel brutalisht kushtetuata e vendit.
Të gjitha këto, që tani janë thënë dhe stërthënë, qëndrojnë plotësisht. Por ajo që ka ndodhur sot është më e rëndë sesa kaq. Sepse ajo instalon nje regjim të ri në Shqipëri, sepse ajo shënon një pikë kthese në rendin e tanishëm të gjërave.
Deri më tani shqiptarët kanë qenë të ndërgjegjshëm se pothuajse të gjithë politikanët vjedhin. Se ata marrin rryshfet, para të thata, prona në natyrë, metra katrorë, përqindje në aksione për çdo firmë që hedhin. Njerzit shikojnë se ku ata banojnë, se me ç’vetura lëvizin, se në ç’shkolla i edukojnë fëmijët, se ku i kalojnë pushimet dhe se si i ndërrojnë kostumet e tyre “sur mesure”.
Por, megjithëse ky është një sekret publik, deri më sot dukja është ruajtur. Nano se ka paranuar kurrë se ka nxjerë gruan për të bërë para. Berisha se ka thënë asnjëhere se kishte emëruar të birin për sekser. Meta e ka mohuar gjithnjë se në bllok mbante llogarite e korrupsionit. Pra të gjithë, në një farë mënyre, janë munduar të ruajnë së paku fasadën.
Deri tani kështu ka grabitur edhe Edi Rama. Ne të gjithë kemi njëmijë e një pikpyetje për mënyrën se si janë dhënë koncesionet e shëndetësisë. Ne të gjithë kemi hije të forta dyshimi për allishverishet që janë bërë me kontratat e inceneratorëve për djegjen e plehrave. Ne të gjithë nënqeshim sa herë jepet një leje e re kulle në Tiranë. Për të gjitha këto dihet pazari, përqindjet dhe sa hyn pak a shumë në xhepin e nëjrit apo tjetrit.
Por, edhe në këto raste flagrante një lloj formalizmi është ruajtur. Një gjysëm procedure është zbatuar, një lloj gare farsë është kryer.
Ndërsa prej sot e tutje ka rënë bilbili i përfundimit të kësaj loje me maska.
Këtë të enjte Edi Rama, me 75 shurdhë memecët e tij i ka dhënë të drejtën vetes të vjedhë me ligj. Ai ka ngritur siparin e një faze të re duke e detyruar parlamentin t’i dhurojë 8 mijë metra truall publik një kompanie private.
Sipas rëfimit të tij haluçinant, një biznesmeni që deri më tani idenë më të ndriçuar e ka pasur që të pagëzojë një rrugë të qytetit me emrin e vet, që në të gjallë, i paska lindur inspirimi ta bëjë Shqipërinë me një teatër modern. Po sipas kësaj legjende ai paska gjetur edhe një arkitekt me renome ndërkombëtare që ka kopjuar shpejt e shpejtë një godinë të ngritur më parë në Kore. Dhe sapo ka dëgjuar për këtë dhuratë nga qielli, qeveria na qenkësh mrekulluar. Ajo është treguar e gatshme t’i falë një pronë publike – që vlen 200 milion euro e më shumë – mu në zemër të Tiranës.
Po pastaj kanë filluar problemet. Kjo nuk bëhet pa miratimin e Këshillit Bashkiak ku nuk kemi shumicën? S’ka problem.
Kjo nuk bëhet dot në kuadrin e ligjit aktual për prokurimin publik, për konçensionet apo për investime strategjike? S’ka problem.
Kjo nuk bëhet dot pa garë dhe pa i dhënë edhe konkurentëve të tjerë në treg mundësinë që të japin një ofertë më të volitshme në këmbim të kësaj pasurie përrallore? Edhe kjo tejkalohet.
Dhe kështu lindi ligji i sotëm Rama- Fusha i cili nuk është vetëm një grabitje ditën për diell, por një gjë shumë më e madhe. Ai përbën pikën e kthesës, se që këtej e tutje, të vjedhësh, nuk është më e ndaluar; se boll të mblidhen bashkë një pushtetar dhe oligark dhe kjo qenkësh e mjaftueshme që të rrënohet trashëgimia, të tjetërsohet prona publike, të mos pyeten grupet e interesit, të shpërfillet i gjithë korrpusi ligjor egzistues e kështu me radhë…
Me pak fjalë, votimi i sotëm për shembjen e teatrit nuk do të hedhi në erë vetëm godinën e fisme të ndërtuar nga italianët , por ai i ka vënë minat edhe praktikës çerek shekullore për të vjedhur me kujdes, për të grabitur me skrupuj dhe për të mos e legalizuar hajdutrinë si meritë.
Prej sot ne kemi hyrë në një fazë të re.
Në një fazë ku ne gazetarët është e kotë të përpiqemi të bëjmë hetime investigative, të tregomjë me prova dhe fakte mëkatet e një pushteti që e pohon me krenari krimin e tij.
Në një fazë ku shoqëria civile dhe aktivistët anti korrupsion nuk ka vlerë të na tregojnë sesa thellë ka vajtur e keqja.
Në një fazë ku opozita, sa herë që do të tentojë të shkojë këtej e tutje në parlament, do të bëhet thjeshtë fasadë e atij grushti grabitësish që dialogojnë vetëm me veten.
Që prej kësaj të enjteje, kur parlamenti e legalizoi vjedhjen me ligj asgjë nuk mund të jetë si më parë.
Para të gjithëve kanë mbetur vetëm dy rrugë: ose të nënshtrohen ose të kërkojnë metoda të tjera për të ndalur këtë bandë.