Nga Poli Hoxha
Publikimi i asaj që ka ndodhur 4 vite më parë në Qershor të vitit 2014 në Strasburg, kur Denar Biba tentoi të josh dhe më pas të shantazhojë “mikun” e tij, gjyqtarin Ledio Bianku, në fakt është vetëm një fije e tërhequr nga pëlhura e një skandali gjigant me pronat e shqiptarëve.
Që nga ai vit dhe deri më sot ka rrjedhur shumë ujë dhe nëse plotësohet hap pas hapi pazlli, del se mashtrimi që Edi Rama i bëri parlamentit kur deklaroi, se Strasburgu kishte bërë shtyrje për çështjet e pronave, ligji dhe Vendimet e Këshillit të Ministrave për këtë çështje dhe veçanërisht ai, “Për Investimet Strategjike, shpronësimet dhe kompesimet”, nuk kanë qenë tjetër gjë, veçse një skemë për të kapur gjithë pasuritë në vendet më të lakmuar të Shqipërisë.
Sot jemi në një situatë, kur miqtë oligarkë të kryeministrit që nuk bëhen as sa gishtat e njërës dorë, kanë uzurpuar dhe janë në tentativa, pronat e trashëguara të qytetarëve dhe ato të shtetit në vendet më të preferuara, në gjithë vijën bregdetare shqiptare dhe në qendrat e qyteteve, veçanërisht në Tiranë.
Pas deklaratës së fundit të Gjykatës së Strasburgut, panorama bëhet edhe më e qartë: Rama pasi ka dështuar të ndikojë në të vetmen faltore ku shqiptarët gjejnë drejtësi për pronat, gjatë këtyre 4 viteve ka vepruar me shpejtësi këtu brenda vendit, duke nxjerrë ligje e VKM-ra në funksion të planit të tij për të kapur pasuritë e vendit.
Zbardhja e kësaj skeme, në fakt është halli i vërtetë i madh i Ramës dhe jo audio-përgjimi, i Denar Bibës në vetvete.
Fakt është që çdo krim madhor dhe i organizuar shtetëror e ka një fillesë dhe për ta shtjelluar atë që ka ndodhur për 5 vite rresht, tashmë kemi një fije, që i ka ngelur në dorë prokurorisë, opozitës dhe medias që nuk është në borderonë e Endri Fugës dhe “biznesmenëve”, që punojnë me shtetin.
Edi Rama e urdhëroi Denar Bibën, që të dalë sot sërish që në pik të mëngjesit përpara mediave për të pranuar se ai ka tentuar që të bëjë “ndikim të papërshtatshëm” ndaj gjyqtarit Bianku, por jo shantazh.
E tha pasi Gjykata e Strasburgut e konfirmoi këtë fakt dhe jo, në daljet e mëparshme. Gjithsesi për ata që nuk e dinë, “ndikimi (ose qasja siç ka qejf ta thotë Biba) i papërshtatshëm”, kur dështon dhe denoncohet si në rastin në fjalë, në jurispidencë futet në të njëjtën vepër penale me mitdhënien, kërcënimin, shantazhin dhe intimidimin e një zyrtari të një institucioni të rëndësishëm, kudo qoftë ai.
Në këtë dalje përpëlitëse të Bibës për hall të tij, por më shumë të Ramës ai bëhet aq grotesk, sa që si argument mbrojtës artikulon një shprehje të tillë: “Ndjej keqardhje për mikun tim Bianku, që nuk e ka ndarë me mua shqetësimin për këtë qasje të papërshtatshme dhe ta ndërpriste bisedën!!”.
Dhe për ti vënë kapak, reciton formulën magjike që përdor Rilindja kundër çdo skandali të kopsitur, që i plas në oborr; “Këto akuza dhe shantazhe po bëhen përpara zgjedhjeve, për qëllime politike”.
Gjithsesi çështja nuk është te fati i Denar Bibës pas këtij skandali që po heton edhe prokuroria, me aq sa i lejohet. Problemi qëndron te skema kriminale e Edi Ramës dhe klanit të tij të mafies ekonomike për grabitjen e qindra-mijë hektarë tokë të shqiptarëve dhe të pasurisë publike. Plan që në fakt është në fazën e tij kulmore; mjafton të investigohet se çfarë po ndodh me pronat e privatit e të pasurisë publike nën maskën e dhjetra VKM-ve, ligjit “Për investimet strategjike”, atë për “Turizmin”, Pronat”, në të gjitha ato zona të lakmuara të bregdetit Adriatik e Jon; në Durrës, Kavajë, Vlorë e Breg, deri në Sarandë, Shëngjin e Velipojë…për të mos folur për historinë kriminale të ndërtimeve në kryeqytet dhe qytetet kryesore.
Këtu do të jemi, pasi Edi Rama të vendos të ikë në “ishullin e pleqërisë” për tu marrë me art (në fakt me sistemimin e bilancit të pasurisë, së Krezit) siç thotë ai. Dhe kur të bëjmë bilancin do të shohim, se e gjithë ajo Shqipëri që ja vlen, do të rezultojë në duart e një grushti njerëzish që na gënjyen me xhingla 3D, edhe pse e dinim se po mashtroheshim!