Nga Alfred Lela
Nëse rrugët formësojnë historinë (qeverisëse) e Sali Berishës; atë të Edi Ramës e formësojnë qendrat e qyteteve; e ashtuquajtura ‘Rilindja urbane’. Nuk mund të mos habitesh nga kjo ‘përzgjedhje’ e dy njerëzve që kanë qeverisur Shqipërinë në dekadën e fundit, kur kujton tipologjinë që ata bartin: Berisha është ‘alpini’ dhe Rama ‘urbani’. Gjë që të çon te pritshmëria që, njëri të jetë ‘introverti’ dhe tjetri ‘ekstroverti’* (shih shpjegimin në fund).
Megjithatë, ata veprojnë përkundër tipologjive të tyre të hamendësuara. Berisha e shpërthen ‘kufizimin’ e vet të malësorit dhe kërkon që ta lidhë Shqipërinë me Shqipërine, me vetveten, me rajonin dhe me botën. Shenjë e kësaj janë rrugët.
Rama, përkundër kësaj, zgjedh skemën e introvertit duke u dhënë, jo pas hapjes dhe lirisë që shëmbëllen rruga, por drejt rrathëve të mbyllur që janë qendrat e qyteteve. Në të gjitha rastet, ai e shpërfill gjatësinë dhe gjerësinë duke bërë monadë të krijimit të vet rrethin apo kuadratin. Edhe pse brenda kësaj gjeometrie ka simetri, estetikë apo edhe një lloj etike urbane të të jetuarit, sipas një parimi që sheh nga e bukura, ajo është kufizuese.
Ekstroverti bëhet introvert dhe introverti bëhet ekstrovert nëpërmjet politikës apo si qëllim politik. Këtu qëndron ndryshimi (një ndër) mes Berishës dhe Ramës. I pari i don njerëzit, ndërsa i dyti don që njerëzit të jetojnë sipas një parimi të zgjedhur prej tij. Nëse i ndan ky parim, Berishën dhe Ramën i ndan edhe një rrugë. Ajo e Kombit. Kur Berisha e skajoi si ide dhe iu vu ndërtimit të saj, duke bërë edhe një premtim poetik “do ta ndërtojmë edhe po të na duhet të shesim bizhutë e grave tona”,
Rama kërkonte shtigje për të forcuar shtyllën kurrizore politike si shef i opozitës. Për të ardhur deri te fushata e ethshme e 2013, ku Berisha vinte me Asfaltimin e Shqipërisë, ndërsa Rama, veç
të tjerash, edhe si anti-heroi i rrugës. “Rrugë, rrugë, rrugë’, përsëriste ai duke tingëlluar si një Fitnete Tudë në një festival sloganësh jomelankolikë. “Njerëzit nuk hanë rrugë’, ishte një tjetër shprehje që ngjiti si çamçakiz në asfalt në verën e ashpër të 2013.
Historia po e provon gabim. Rrugët hahen dhe, siç po del, kanë shijen e hatashme të tre P-ve. Partneriteti Publik Privat. Rama shef opozite, i shndërruar në Kryeministër, e ka dhënë me koncension Rrugën e Kombit (rrugë, rrugë, rrugë… kush ha rrugë), një vendim që ka ndeshur në rezistencë.
Emri i tij do të lidhet me Rrugën e Kombit si taksidari i saj. Kjo ia rrëzon edhe ligjëratën politike të abuzimeve me arkën e shtetit (koha e Berishës dhe Bashës) për të ndërtuar një rrugë ‘që nuk hahej’. Megjithatë, nuk na duhet e shkuara për të përligjur të tashmen. Aktualja, si asfalt i ngjitur mirë, nuk mund të kundërshtohet nga imagjinarja. Kryeministri, luftën imagjinare kundër rrugëve e ka kthyer në një aktualitet demotivues ekonomik.
Duke taksuar Rrugën e Kombit ai kryen një demotivim social dhe ekonomik të Kukësit, i cili është kthyer në një lagje të Londrës, jo nga progresi, por për nga numri i banorëve të ikur, apo që bëjnë çmos për të kapur
Ai ndëshkon, jo vetëm tregtinë me Kosovën, fqinjin dhe shtetin e dytë shqiptar, por edhe retorikën patriotike, të cilën ai vetë e përdor shpesh. Në vizitën e fundit në Kosovë, Rama ofroi për përdorim publik metaforën e një Presidenti të Kombit dhe, një muaj më vonë, i pret qafën Mbretit të Përbashkët të shqiptarëve që është Rruga e Kombit. A është këshilluar kryeministri, kombëtarisht, me homologët kosovarë për një taksim të përbashkët?
Ky do të kishte qenë një rast i mirë që retorika të ishte shndërruar në përvojë dhe Kombi të ecte i bashkuar në Rrugën e vet.
Ngushëllimi është aty i ftohtë: të kërkosh Rilindje Kombëtare nga ‘urbanë introvertë’ është të qesësh fall në hi.
Taksa dhe PPP.
*Termat ‘introvert’ dhe ‘ekstrovert’ i përkasin psikologut Karl Jung. Introvert është një person që humb energji kur është me të tjerët, ndërsa ekstrovert është dikush që merr energji kur është me të tjerët. Në editorial termat janë përdorur për të simbolizuar një sjellje politike apo qeverisëse që shenjohet nga ‘rruga’ dhe ‘qendra’ e qytetit. Politiko.al
*Titulli është redaksional, në origjinal “Taksidari i Kombit”