Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për mediat, ka komentuar edhe debatet politike e kryesisht që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.
Rama tha se mazhoranca nuk i ka votat për ta kaluar në parlament atë marrëveshje ndërsa nuk kurseu as ‘thumbat;’ për opozitën jashtë parlamentare duke bërë diferencat mes saj dhe deputetëve që janë në parlament dhe që erdhën nga listat e tyre.
Sipas Ramës, deputetët që janë brenda Kuvendit janë pjesa e partisë së tyre dhe se nuk shkon që këta jashtë të bëjnë marrëveshje dhe pjesa e Parlamentit të nxjerrin shpatat.
“Marrëveshja është e vërtetë që nuk reformon asgjë në sistem, por rëndësi ka që u kënaq Luli. Rëndësia e saj ishte të bashkoheshim ne bashkë me gjithë botën për ta lehtësuar Lulzim Bashën nga frika e tmerrshme e tij prej zgjedhjeve për t’i thënë si e do ti që të mos kemi llafe. Unë e di që ne do kemi prapë llafe se ne prapë do fitojmë por ne e bëmë këtë në shenjë paqeje”, tha kryeministri gjatë konferencës së sotme për Eurobondin, krah dy ministrave Denaj e Ahmetaj
“Shumë njerëz nuk janë dakord me mua se donin të vijonim duke adresuar me të vërtetë rekomandimet e OSBE-ODIHR por ata duhet të na kuptojnë se e bëmë për të ndryshuar klimën. Kjo është një çështje që nuk e kemi ne në dorë. Ne dhamë dakordësi që të hiqnim mundësinë për të gjetur sebepe ata. Kjo dakordësi do kalojë në Parlament. Ne i qëndrojmë asaj, e di që s’do jetë fushë me lule por ne do i qëndrojmë marrëveshjes. Ne do dëgjojmë, do jemi konstruktivë.
Të gjithë ne duhet të kalojmë në një stad tjetër maturimi, nuk kemi pse mblidhemi nëpër ambasada për të bërë marrëveshje që të mbetemi kështu sic jemi. Të mblidhesh te shtëpia e një miku të madh dhe të dalësh pas tre ditësh me qëndrimin jemi mirë ashtu sic ishim edhe ai miku i madh thotë ore po pse ia hapëm ne shtëpinë këtyre?! E shoh më të lehtësuar mikun tim (Bashën) do shikojmë si do të ecim që të kalojmë në një kuptim më të gjërë. Ne s’paskemi të drejtë të kërkojmë asgje tjetër veç detyrimin të shpërndajmë karamele, llokume, ballakume e mish.
Ne jemi këtu që ta çojmë përpara këtë proces, ta mbyllim në mënyrë të ndershme, dinjitoze jo duke u futur në historia kap njërin e kap tjetrin, nuk shkon që në rrugë të bësh konsensus dhe në Parlament të shkosh me shpatë. Votat nuk i kemi por do t’i bëjmë, nuk do luftojmë në sensin aritmetik por duke u marrë me të tjerët sa do ja dalim këtë nuk e dimë. Mos e paçi fatin të jeni në vendin tim në këtë situatë”, vijoi Rama.