Samiti i Poznanit ka rezultuar një dështim i vërtetë për qeverinë shqiptare, që nuk ka përfituar asnjë financim për projekte në vendin tonë. Përveç faktit se ka përplasje për procesin e integrimit, ku presidenti francez Emanuel Macron nuk e sheh si një prioritet zgjerimin e BE-së, dhe kancelares Merkel që ishte më optimiste, lajme të këqija vijnë dhe në aspektin ekonomik.
Qeveria shqiptare nuk ka mundur të përfitojë asnjë një cent nga paketa e re e ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor prej 180 milionë eurosh, ndërsa Rama u injorua dhe nga konferenca për shtyp e zhvilluar mes Merkel, Zaev dhe kryeministrit të Polonisë.
Në Samitin e Poznanit, që u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit, nisur në vitin 2014, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë dalë të buzëqeshura me nga 3 projekte të zgjedhura në fushën e transportit dhe gazit natyror.
Kosova ka përfituar 27 milionë euro dhuratë për linjën hekurudhore, ndërsa Serbia do të ndërtojë një linjë të re interkonjeksioni.
Shqipëria, nga ana tjetër, duket se i ka ezauruar projektet në këto fusha, falë programit të Partneritetit Publik Privat dhe në këtë mënyrë nuk merr dot grante nga Bashkimi Europian.
Në total në 4 vitet e fundit, Shqipëria ka arritur të marrë vetëm 214 milionë euro investime nga agjenda europiane për Ballkanin, në fushën e transportit dhe energjisë, të fundit krahasuar me të gjitha vendet e tjera.
Fondet janë dhënë për projekte që përkojnë me disa linja interkonjeksioni, rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas dhe disa përmirësime në Portin e Durrësit.
Nga ana tjetër Maqedonia e Veriut ka përfituar gjithsej 272 milionë euro, Kosova 330 milionë euro, Mali i Zi 399 milionë euro, Serbia plot 627 milionë euro, dhe Bosnje e Hercegovina mbi 1 miliard euro.
Vendi ynë megjithatë pritet të përfitojë nga shumat relativisht më të vogla që BE do të vendosë në dispozicion për përmirësimin e ndërlidhjes digjitale, si dhe për inovacionin në bizneset e vogla dhe të mesme.