Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati është caktuar i dërguar i posacëm i kryeministrit Rama, për OSBE-në.
Ky njoftim është bërë publik në faqen zyrtare të OSBE, ku shihet se Bushati kryeson listën e personave që gjatë këtij viti do të drejtojnë fusha të caktuara.
Ajo që bie në sy është fakti që në dallim me emërimet e tjera të cilët mbulojnë një fushë specifike, Bushati në cilësinë e të dërguarit të posacëm do të trajtojë cështje dhe problematika të të gjitha fushave me të cilat kryesia mund të përballet gjatë drejtimit të organizatës.
Ky post duket të jetë një risi e Presidencës Shqiptare të OSBE-së, pasi në të kaluarën shtetet e tjera nuk e kanë ndërmarrë një emërim të tillë.
Nuk dihet nëse emërimi i Bushatit në këtë pozicion lidhet me faktin që kryeministri Rama mban dhe detyrën e Ministrit të Jashtëm, sa kohë që presidenti i vendit Ilir Meta, nuk pranoi që të emëronte Gent Cakajn në këtë dikaster.
Ditmir Bushati shërbente në detyrën e Ministrit të Jashtëm kur Shqipëria fitoi drejtimin e Presidencës së OSBE për vitin 2020 por vetëm 1 muaj më pas u shkarkua nga detyra, gjë që solli pakënaqësi mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Një nga çështjet më të nxehta, për të cilën Rama dhe Bushati kanë pasur qendrime tërësisht të kundërta ka qenë ajo e ndryshimit të kufijve të Kosovës, ku ish-ministri e ka kundërshtuar me forcë këtë opsion.
Po ashtu Bushati ka qenë kritik dhe mbi marrëveshjen e Minishengenit Ballkanik, sa kohë që Kosova ka mbetur jashtë këtij procesi.
(E.K/Faxweb.al)