Kreu i qeverisë Edi Rama është treguar i prerë lidhur me qëndrimin që Shqipëria do të mbajë në raport me taksën 100% që Kosova ka vendosur ndaj produketeve serbe.
Rama tha se në një kohë që Serbia po punon kundër njohjes së Kosovës, atëherë qëndrimi i mbajtur nga qeveria e Haradinajt është plotësisht i drejtë. Rama u shpreh se brenda gjashtëmujorit të vitit të ardhshëm Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë zero tarifat e kalimit doganor mes tyre, duke i lënë vend kufijve vetëm në letër. ”100% taksa në veri, 0% taksa në jug”, u shpreh Rama.
Po ashtu kryeministri u shpreh se dokumentet që do të nxirren në Shqipëri do të kenë vlerë dhe në Kosovë dhe e anasjellta. E njëjta gjë sipas Ramës do të ndodhë dhe me patentat, pasi marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është marrëdhënie mes shqiptarësh, nuk ka sesi të jetë e njëjtë si ajo me Greqinë.
“Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët, çdo dokument që iu duhet shtetasve të Kosovës mund të aksesohet dhe në Shqipëri, dhe e anasjellta. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk janë patenta mes Shqipërisë dhe Greqisë, ato janë patenta mes shqiptarëve.
Meqë ata nuk duan që ne të jemi pjesë e marrëveshjes së tyre roming, në gjashtëmujorin e ardhshëm nuk do të ketë asnjë tarifë që do të aplikohet mes shqiptarëve. Jemi gati që ti shpjegojmë të gjithë atyre që janë kundër si qëndron kjo punë. Unë e kam thënë dhe i qëndroj, marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike, po nëse Serbia e sheh këtë si nevojë të njëanshme, ne do ti rrimë përballë me fytyrën që Serbia do.
“Shqipëria Kosova dhe rruga e bashkimit të Shqiptarëve në vitin 2025”, le të jetë një dokument i përbashkët i dy ministrive tona të jashtme. BE duhet ti japë fund dyfytyrësisë me Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa Serbia po ja del të hapë kapituj të ri duke përdorur tre fytyra.
Ne jemi dy shtete që nuk kemi ndërmend të ngelim si brima e fundit e bishtit të kavallit”, u shpreh Rama në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.
Rama deklaroi më tej se “qenësia e normalizuar e Kosovës është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”.
“Për Shqipërinë, Kosova është shtet i pavarur, sovran, me regjim demokratik, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se “e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë-shtete dhe nuk njeh gjysmë-njerëz”, duke nënvizuar se “prandaj jemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj”.
“Interpoli ishte shfaqje dekurajuese për shfaqjen e partnerëve potencialë në rajon”, shtoi Rama.
(E.K/FAXWEB.AL)