Pak ditë më parë, Tpz.al publikoi investigimin se një kompani (Gjergjefi) e akuzuar më herët nga mazhoranca aktuale se fitonte tenderët në mënyrë të paracatuar, fitoi tenderin me vlerë 1 milionë euro për uniformat e policisë. Sipas tenderit, puna duhet të ketë nisur dhe shumë shpejt do të shkojnë edhe uniformat e para. Por, pak ditë nga shpallja e fituesit, qeveria ka akorduar plot 13 milionë euro të tjera për uniformën e policisë (veshje dhe këpucë).
Në dokumentet e siguruara nga Tpz.al nuk bëhen të ditura përse kjo shumë kaq e madhe, kur tenderi i parë sapo ka përfunduar. Në dokumente thuhet se autoriteti që po bën këtë tender është Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, një agjenci e cila është totalisht në duart e kryeministrit Edi Rama.
Madje, kjo agjenci është ngritur posaçërisht për tenderët e mëdhenj, për të futur duart direkt në tendera. Dhe duket se ia ka arritur qëllimit, pasi tenderët me vlera të mëdha po bëhen nga kjo agjenci.
Duket se, me lëvizjen e fundit, kryeministri Edi Rama ka “sfiduar” në mënyrë të hapur dy ministrat e fundit të Brendshëm, Saimir Tahirin dhe Fatmir Xhafën. Të dy ministrat shpallën tenderët, por po kaq herë dështuan. Në muajin prill 2017 ministri Tahiri, i shoqëruar nga kryeministri Rama, dolën krah për krah njëri tjetrit, duke prezantuar në atë kohë uniformat e reja. Në atë kohë u shpall dhe tenderi në Agjencinë e Prokurimit Publik, I cili kishte një vlerë prej 1 292 618 666 (mbi 10 milionë euro).
Në këtë tender ishin parashikuar veshje dimërore, verore, uniforma për stërvitje e shërbime, uniforma të vecanta, për grupet e hetimit, për ata që presin qytetarët, për policinë rrugore etj, etj.
Por, në muajin tetor 2017 në Agjencinë e Prokurimit Publik, u shpall një njoftim. Sipas tij, ”Ministria e Brendshme njofton se procedura për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit, që u zhvillua më datë 4 prill 2017 anulohet sepse asnjë nga ofertat nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”.
Në atë kohë u aludua se Xhafa po sfidonte Tahirin, pasi përveç sekuestrimit të sasive record hashashi, po fshinte të gjitha gjurmët e paraardhësit e tij. Madje, edhe të gjithë tëmirat ekonomike! Më vonë, Xhafa do të shpallte sërish tenderin, por arriti të bënte vetëm dy tendera, me vlerë të vogël, që shkonin deri në 1 milionë euro.
Dhe, kur të dy ministrat dështuan, “timonin” e mori në dorë agjencia e kryeministrit Edi Rama, e cila tashmë ka në dorë nj super tender, që shkon deri në 13 milionë euro. Tashmë, presim si do të vijojnë procedurat e mëtejshme, ndërsa Tpz.al do të vijojë t’i ndjekë, në përpjekje për të hedhur dritë se ku shkojnë paratë e popullit.
Duke u ndalur te tenderi, mësohet se procedura e parë është “Blerje uniforma për Policinë e Shtetit dhe aksesorë që e plotësojnë” për vitet 2018,2019 dhe 2020. Fondi limit është 908,973,900 lekë pa TVSH. Mësohet se afati i lëvrimit të mallit është:
– Për sasitë e planifikuara për vitin 2018 afati i lëvrimit do të jetë: 30 ditë, 60 ditë dhe 100 ditë nga lidhja e kontratës, sipas listës së artikujve të përcaktuara në shtojcën 12 të dokumenteve të tenderit.
– Për sasitë e planifikuara për vitin 2019 afati i lëvrimit duhet të jetë brenda 15 Prill 2019 2019 dhe pjesa tjetër brenda datës 2 Shtator 2019.
– Për sasitë e planifikuara për vitin 2020 afati i lëvrimit duhet të jetë brenda datës 15 Prill 2020 dhe brenda datës 2 Shtator 2020.
Ndërkohë, procedura e dytë është “Blerje këpucë për uniformën e Policisë së Shtetit” për vitet 2018, 2019, 2020. Fondi limit është 290,155,500 lekë pa TVSH. Afati i lëvrimit mallit duhet të jetë:
– Për vitin 2018 afati i lëvrimit do të jetë 30 ditë nga lidhja e kontratës.
– Për vitin 2019 afati i lëvrimit do të jetë brenda datës 31 Mars 2019 dhe brenda datës 2 Shtator 2019.
– Për vitin 2020 afati i lëvrimit do të jetë brenda datës 31 Mars 2020 dhe brenda datës 2 Shtator 2020. /TPZ.AL/