Dje u shpreh se nuk kishte mbaruar me aq, dhe kështu ndodhi, Edi Rama e ka nisur seancën e sotme në Kuvend me një sulm të hapur në drejtim të presidentit të vendit Ilir Meta, ku nuk harroi t’i kujtonte dhe besimin dhe votat e dhëna nga ana e socialistëve.
Rama u shpreh se nga e shtuna qeveria ka një problem të madh me presidentin e vendit, për shkakm se ky i fundit po e dëmton punën e qeverisë, duke refuzuar emrin e Sandër Lleshit.
Reagimi i Ramës:
Shumë nga ne kemi votuar për Ilir Metës si President, atë ditë ne nuk e kishim shumicën absolute që kemi sot, po unë e kisha bindjen e plotë se Ilir Meta ishte kandidatura më e përshtatshme në rrethanat kur duhej të zgjidhej presidenti i shtatë i Republikës.
Që kur hyri në Presidencë, përveç dalldisjes para zgjedhjeve me flamurin e LSI-së, duhet thënë se ai e ka merituar votën tonë, duke e peshuar fjalën dhe duke respektuar Kushtetutën. Prej së shtunës mbrëma ne kemi një problem që na është krijuar nga ana e presidentit për punën tonë. Puna jonë është të hartojmë dhe të miratojmë ligje, dhe të qeverisim, kur të kemi të paktën besimin e 71 ligjvënsve.
Kjo është detyra jonë, edhe në qoftë se nuk e kemi besimin edhe të presidentit. Askush tjetër veç popullit sovran, as e ka dhe as nuk mund ta ketë të drejtën që të na heqë të drejtën për të qeverisur, edhe sikur të hidhet përpjetë ndonjë njeri.
Kushtetuta i ka një më një 12 kompetencat e presidentit të Republikës, në to nuk ka në asnjë moment të shkruar se presidenti ka kompetencë që të refuzojë zgjedhjet e kryeministrit.
(E.K/FAXWEB.AL)