Reparti i sulmit, pas konsolidimit të mbrojtjes me emra si Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli apo edhe Veseli e Dermaku si dhe Hysaj e Doka në të djathtë apo Lenjni e Trashi në të majtë, është i radhës që po gëzon shumëllojshmëri tipash të lojtarëve në dispozicion të trajnerit Edi Reja.
Tekniku italian ka mundësi të shumta zgjedhjesh në repartin ofensiv duke filluar nga bombera si Cikalleshi, Manaj e Uzuni deri tek talentet Muçi e Broja. Cikalleshi është sulmues mjaft me eksperiencë i cili ka treguar cilësitë e tij në shumë ndeshje me Kombëtaren.
Rei Manaj po kalon një periudhë të artë me Barcelonën duke shënuar 4 gola në dy ndeshje me fanellën e katalanasve. Armando Broja gjithashtu bëri një hap të madh në karrierë duke firmosur për 5 vite me Çelsin dhe aktualisht po stërvitet me ekipin e parë.
Myrto Uzuni vazhdon të jetë protagonist tek Ferencvaroshi duke shënuar 4 gola në dy sfidat e fundit të hungarezëve në Champions. Ernest Muçi i mahniti të gjithë me golin e realizuar me fanellën e Legia këtë javë, teksa mund të jetë një pikë kthese për sulmuesin kuqezi. Dhe lista vazhdon me sulmuesit e tjerë, Xhakomo Vrioni, Taulant Seferi, Armando Sadiku, Bekim Balaj e Florian Kamberi.