Pas deklaratës së Partisë Demokratike e cila deklaroi se Arben Ahmetaj ka firmosur në 2016 privatizimin e pronës së njohur te ish-Sera për të favorizuar projektin e biznesmenit Edmond Bego te Unaza e Re, ka reaguar Ministria e Financave dhe Ekonomisë e cila ka hedhur poshtë akuzat.
Drejtori i Drejtimit të Pronës Publike Endrit Duçka në një deklaratë për mediat u shpreh se procesi i privatizimit ka nisur në vitin 2007 kur në pushtet ishte qeveria e drejtuar nga Berisha, ndërsa shtoi se në 2016 është lidhur kontrata e shitjes me trashgimtarët e familjes Pinari dhe jo Mond Begon, biznesmenin që PD e akuzon si të lidhur me qeverinë.
“Ky është dokumenti i firmosur nga këshilltari i Këshillit të Ministrave, i cili i ka hapur procedurë legalizimi në vitin 2007. Dëshiroj të ndalem në dy elementë që sqarojnë pozicionin e Ministrisë së Financave në këtë objekt.
Në asnjë rast ministria e financave nuk ka firmosur asnjë dokument me Edmond Begon. Në asnjë rast ministria e Financave nuk ka asnjë dokument që nxjerr fitues këtë person.
Ministria ka favorizuar kalimin e serave në pronësi të trashëgimtarëve Hamdi Pinari. Pagesa është kryer nga trashëgimtarët Pinari. Media është e ftuar për më shumë detaje dhe verifikime pranë Ministrisë së Financave për të gjithë objektet”, deklaron ministria e Financave.
PD deklaroi me herët se Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave për privatizimin, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016.
(M.Q/Faxweb.al)