Në një lidhje me skype me Fax News, psikologu Edmond Dragoti ka folur mbi pasojat psikologjike që ka shkaktuar dhe rrezikon të shkaktojë pandemia e Covid-19.
Ai ka theksuar se një karantinim i dytë do të shtonte shansin për një karantinim serial më pas, ç’ka është m,jaft e vështirë për t’u përballuar nga qytetarët.
Dragoti tha se këta të fundit do të gjenin rrugë të ndryshme për t’i shpëtuar një mase të tillë, ndërsa shtoi se jo vetëm do të shtoheshin konfliktet e brendshme, por të do kalonin edhe në nivel shoqëror.
“Mendoj se karantina e dytë nuk është e lehtë për t’u realizuar, sepse nëse do të ketë një të dytë, do të ishte pastaj një karantinim serial, sepse nuk kemi garanci se si do ti shpëtojmë virusit. Situata psikologjike e jona në këtë aspekt do të tendoset më tej, mundësitë e çrregullimit të sjelljeve tona të përditshme do të jenë më të mëdha. Mundëm ta kapërcenim duke bashkëpunuar me të afërmit, por një karantinim i dytë nuk do të ishte i lehtë, do kërkoheshin mundësi për t’i shpëtuar kësaj mbylljeje. Në këtë rast do të ishte e vështirë, konfliktet e brendshme mbase do të shndërroheshin edhe në konflikte të jashtme, jashtë nesh.”
Pavarësisht se vlerësoi lehtësirat që mundëson komunikimi virtual, Dragoti tha se përmes tij nuk jemi vetvetja, pasi mundohemi të tregojmë veten siç duam të jemi dhe jo siç jemi në të të vërtetë.
“Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë është një vështirësi serioze, komunikimi verbal është shumë i rëndësishëm. Komunikimi virtual e ka lehtësuar disi situatën po nuk mbartin atë verbal që plotëson 90% të situatës. Sepse shpesh ne në rrjetet sociale komunikojmë dhe e prezantojmë veten siç do donim të ishim dhe jo siç jemi. Në komunikimin virtual ne e kemi të vështirë të tregojmë vetveten”.
Por cili është roli i psikologut në një situatë të tillë të tensionuar dhe stresuese?
“Psikologu e ndihmon pacientin, gjen burimin e stresit, depresionit apo çdo problemi të mundshëm dhe jep shprehi tek klienti që të ketë mundësi ta kalojë atë. Pastaj sa ju përket problemeve mendore, është psikiatri që ndërhyn veçanërisht. Natyrisht duhet kërkuar ndihma e psikologëve, ekspertëve por edhe ndihma e familjarëve dhe të afërmve. Duhet të ruajmë distancën në komunikimet me njerëzit, nuk duhet të jemi vurnerabël në takimet intime. Ka raste kur të sëmurët me Covid-19 nuk e deklarojnë dhe kështu bëhen akoma më të rrezikshëm. Është e nevojshme të zbatohen jo vetëm rregullat e higjienës publike por edhe të asaj personale.”
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post