Shkrimtari Edmond Tupe ishte sot i pranishëm në protestën e opozitës në një bashkëbisedim me qytetarët për protestën dhe kërkesat që kanë sot shqiptarët.
“Unë e di që nga data 18 shkurt, në atë protestë të madhërishme, dhe sot këtu në shesh nuk janë vetëm njerëz të opozitës apo simpatizantë të saj, por janë edhe qytetarë të shqetësuar dhe të indinjuar. Ka ardhur koha të indinjohemi të gjithë. Na duhet zemërimi qytetar”, tha Tupja.
Edmond Tupja bëri thirrje për vazhdimësi të protestës tek të rinjtë.
“Ju si rini keni një burim të pashtershëm force, por duhet të flisni me të gjithë njerëzit që takoni për t’u përcjellë atyre mesazhin e kësaj beteje. Sepse betejat zgjasin. Duhet të mësohemi me këtë edukatë të vepruari e cila është edukatë demokratike. Duhet këmbëngulur dhe shpirtngulur. Nuk vjen pranvera e republikës së re vetëm me një protestë madhështore”.
I pyetur lidhur me varfërinë në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare dhe pasojat që ajo sjell në psikologjinë dhe jetën e njeriut, Tupja iu përgjigj : Varfëria sjell grindje. Problemet sociale me ato ekonomike sjellin dhunë emocionale, psikologjike. Pastaj lind dhuna fizike. Rinia sot është e lodhur. Këtë më thonë studentët e mi. Të mbarosh shkollën e lartë për një degë të caktuar dhe të punosh në call center apo kamerier, kjo është e tmerrshme.
Për Tupen janë intelektualët ata të cilët duhet të tregojnë se edhe ata janë të ndërgjegjshëm për atë që ndodh.
“Mendohet se intelektualët duhet të jenë apartiak e të mos i përkasin asnjë partie. Por ky është shtrembërim sepse intelektuali ka mendimin e tij, opinionin e tij dhe e thotë atë me zë të lartë. Nëse intelektuali nuk reagon ndaj realitetit atëherë do biem në skizofreni” tha Tupja nga protesta e opozitës.
(M.D/ Shuplaka)