Nga Alfred Lela
Pikë së pari, Eduard Selami i sjell garës garë. Ai bëhet një alternativë e kreut të tërhequr të partisë, Lulzim Basha, i cili edhe pse ‘i ngrirë’ zotëron aksionet e më të mundshmes në rrugën drejt rikonfirmimit si kryetar i Partisë Demokratike.
Edhe më shumë ai pranohet si alternativë për faktin se është shfaqur kritik ndaj lidershipit të z. Basha, por pa shkelur kufirin e hollë përtej të cilit shtrihet dëmtimi i shtëpisë së përbashkët, Partisë Demokratike.
Disa ndër kontestatatorët e Bashës e bënë, Selami jo.
Ky është një kredit për të. Se sa do i lexohet nga partia në sfidën e tij për të kapur kreun është tjetër gjë.
Selami mishëron në profilin e vet politik, nostalgjinë, peshën dhe ndjesitë e PD-së parë dhe të vjetër, ngjizur dhe mbushur cit me idealizëm, shpresë dhe dhjetorizëm. Gjatë garës do të shihet nëse ai i ka ruajtur këto ‘thesare’, dhe a di t’i emëtojë te të tjerët. Nëse ato janë fërgëllimë, a mund të bëhen edhe instrument politik?
Përgjigjia e kësaj shtrihet para nesh. Mund ta dëshirojmë dhe presim, por jo edhe ta mbjellim në të ardhmen.
Por, prej një kandidati për të marrë kreun e një partie të madhe në Shqipëri, të dytës për nga pesha aktuale, dhe të parës për nga pesha historike, siç është PD, nuk mund të presim spikamat e së shkuarës, por edhe konturet e së ardhmes.
Cili është projekti i Eduard Selamit për Partinë Demokratike?
Këtu ekziston edhe thelbi i asaj, që ish-kryetari i Partisë ka për t’i thënë formacionit politik dy dekada më vonë. Në një intervistë mbrëmë për Sokol Ballën në Top Story, ai ka dhënë ndonjë kontur duke sqaruar se platforma vjen më vonë. Një gjë për t’u vënë re është se ai foli për opozitarizëm pa LSI. Selami bëhet kështu përçues i një besimi ndër demokratët, se duhet dhe mund të fitohet edhe pa Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Me cilët mekanizma? Në cilën kohë?
Eduard Selami është një kandidat i mirë, por a është i duhuri? Shumë vetë e bëjnë këtë pyetje, duke patur parasysh edhe një mosangazhim të spikatur të tij gjatë katër viteve opozitë. Heshtja ka qenë aksioni i tij.
Aksioni ndërkohë është tempi i opozitës. Veçanërisht kësaj të sotmes të mbytur në një aneks elektoral, në një cep ringu prej nga ku i duhet të dalë.
Me mundimin dhe dëshirën e një kampioni të vjetër boksi, që ka pasë fituar me nokaut dhe është mundur me nokdaun.
Eduard Selamit i duhet të lëvizë më shumë në ring. Përballë do ketë Lulzim Bashën, i cili është i ngrirë, por jo i heshtur dhe as statik.
Deri kur në skenë të futet edhe ndonjë mëtues i tretë apo i katërt./Marrë nga politiko.al