Eduart Lamaj, i cili është arrestuar pasi dyshohet si vrasës i dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergj Markaj, në fund të majit të këtij viti, konsiderohej nga autoritetet greke të drejtësisë si një nga peshqit e mëdhenj të trafikut të kokainës.
Lamaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Greqia, për akuzat e organizatës kriminale dhe trafikut të narkotikëve.
Referuar dosjes penale, Lama, dyshohet si organizator i trafikut të 180 kg kokainë nga Amerika Latine me destinacion vendet e Bashkimit Europian, sasi e cila u bllokua muaj më parë në portin e Pireut në Athinë.
Autoritetet greke kanë informuar palën shqiptare për shpalljen në kërkim të Lamajt, ndërsa kërkohet dorëzimi i tij. Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Greqinë, dhe për këtë arsye, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, iu është drejtuar autoriteteve greke që çështja e tij të transferohet në vendin tonë.
Ministria e Drejtësisë në referencë të njoftimit të shpalljes në kërkim ndërkombëtar të shtetasit shqiptar, Eduart Lamaj, alias Leandro Simon nga autoritetet greke të drejtësisë, duke ju njoftuar për pamundësinë e ekstradimit nga Shqipëria në Greqi të këtij shtetasi, iu përcjell kërkesën e prokurorisë së Përgjithshme për transmetimin origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin të, bashkë me përkthimin përkatëse të të gjitha materialeve që lidhen me procedimin penal ndaj tij, për akuzat e organizatës kriminale dhe trafikimit të lëndëve narkotike.