Kryetari i Partisë Demokratike Lulizm Basha në një interviste për Fax News foli për rikthimin e disa figurave të vjetra pranë PD-a-së, ku u shpreh se “Partia Demokratike është e hapur për secilin që e ndjen veten demokrat dhe që do të japë kontributin e vet në këtë familje politike që po përgatitet të qeverisë vendin.”
I ftuar tek emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në Fax News, ish anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Edvin Kulluri, tha se prova e parë që duhet të japë Basha është komunikimi për të gjetur një zgjidhje më të mirë për PD-në.
Kulluri shtoi se rikthimi duhet të bazohet në disa principe në komunikim dhe se çdo pazar personal do të ishte një akt i turpshëm.
“Prova e madhe do të ishte një komunikim për të gjetur një zgjidhje më të mirë në PD. Unë kam bërë propozime konkrete, për një statut demokratik, nuk kam asgjë personale me askënd. Kompromisi në politikë ndryshon nga pazari në një aspekt. Pazari është një shkëmbim interesash materiale dhe nuk ka domosdoshmëri morale. Kur flasim marrëveshje politike dhe kompromis të mundshëm që e shoh të vështirë, megjithëse ne e kemi të gatshëm skenarin konkret se si do të shkohet në zgjedhje, nëse nuk ka zgjidhje brenda PD-së, por nuk dua ta mbyll këtë derë sepse e ardhmja është e paparashikueshme.
Nëse ka një komunikim të bazuar në principe, asnjë nuk do të mbyllte këtë derë për rikthim. Pra të të garantohet sistemi i mertikracisë, i demokratizimit të partisë, përndryshe çdo pazar personal i Edvin Kullurit do të ishte një akt i turpshëm. Ne përfaqësojmë një pjesë të konsiderueshme të votuesve të djathtë.”- tha Kulluri. (M.Q/Faxweb.al)