Ngjarja e mesnatës së kaluar që tronditi sërish kryeqytetin ku u qëllua me breshëri kallashnikovi në drejtim të kompleksit “Eiffel” në pronësi të Enver Çaushit mbetet pa autor. Vetë biznesmeni është shprehur për grupin hetimor se ngjarja nuk ka lidhje me të, dhe se autorët kanë ngatërruar objektiv.
Fax Neës mbërriti në vendin e ngjarjes në afërsi të autostradës Tiranë-Durrës, ndërsa pronarët dhe menaxherët e kopleksit refuzojnë të prononcohen, madje kërcënojnë që të mos raportojnë në afërsi të kompleksit. Nga të dhënat konstatohet se Çaushi nuk është person me precedent penal ndërsa nuk dihet nëse ngjarja ka ndodhur si pasojë e ndonjë konflikti.
Krahas kësaj, ndonëse jo drejtpërdrejt, emri i Enver Çaushit rezulton i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në vitin 2012 në Tiranë. Sipas dosjes hetimore nipat e tij janë përfshirë në pengmarrjen e Syrja Xheli, i cili është dhunuar për disa orë, për çështje të një borxhi.
Mediat shkruanin në atë kohë se pengu ka pranuar marrjen e borxhit nga shtetasi Elton Deliu, i cili nuk jeton më pasi është vrarë në mënyrë mafioze në vitin 2008. Për këtë ngjarje, nipi i Enver Çaushit, Floriani është dënuar me 3 milionë lekë gjobë, për përfshirje në pengmarrje.
Nga ana tjetër, Fax Neës ka bërë një kërkim në Qendrën Kombëtare të Biznesit në emrin e Enver Çaushit, i cili mësohet të ketë bërë një rifreskim të të dhënave në vitin 2016 dhe që aktualisht rezulton i pezulluar si aktivitet. Por ndryshe qëndron e vërteta në realitet pasi edhe pse disa orë pas ngjarjes së mesnatës së kaluar, kompleksi “Eiffel” vijon të ushtrojë aktivitetin e shërbimeve, madje i frekuentuar nga mjaft klientë dhe pushues, që zgjedhin të lahen pranë pishinave.
Sulmi i mbrëmshëm mbetet pa autor ndërkohë që policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të saj dhe identifikimin e autorëve.