Tubimit të thirrur nga Presidenti Ilir Meta në 2 mars do t’i bashkohet edhe Ballist Morina. Lajmin e ka dhënë vetë patrioti shqiptar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se Kushtetuta është e para.
”Unë do jem per herë të parë në nji tubim të tillë, mos hezito, eja dhe ti! Rroftë kushtetuta!”, shkruan Morina, që tashmë jeton në Itali, pasi u lirua nga burgu.
Ballist Morina, emri i vërtetë i të cilit është Ismail Morina është një patriot shqiptar i cili u bë i njohur pasi ngriti dronin me simbolet etnike në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Ishte duke u luajtur ndeshja Serbi-Shqipëri kur në minutën e 41 të saj, Ballist Morina i fshehur në majë të stadiumit lëshoi dronin me flamurin pro-shqiptar, duke bërë që lojtarët serbë të tensionohen dhe ta marrin atë.
Por si kundërpërgjigje, lojtarët shqiptarë nuk e lanë ta merrnin duke e marrë ata në dorë. Më pas ndeshja vijoi me goditje nga të dyja palët derisa u ndërpre pasi tifozët serbë filluan ti gjuanin lojtarët e kombëtares shqiptare.