Qeveria shqiptare do të vijojë mbështetjen e programit të ekipeve sportive, i cili është në edicionin e tretë.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët tha në një prononcim për mediet pas mbledhjes sq qeverisë se “ndër vite i kemi zhvilluar këto aktivitete me fëmijët e klasave të nënta me gjimnazet, por edhe të shkollave fillore. Pjesa e mbështetjes do të vijojë me të njëjtin ritëm që ka qenë këto 3 vite dhe gjatë këtij viti do të kemi mundësi të aktivizojmë mbi 12 mijë fëmijë dhe të rinj që do të jenë pjesë e ekipeve të këtij programi”.
“Janë në fakt 825 ekipe sportive që janë të shpërndara në të gjithë vendin në dy disiplina në volejboll dhe basketboll. Mbështetja për fëmijët do të jetë qoftë me pjesën materiale, por edhe me trajnimin me profesionistë të specializuar të kësaj fushe. Ky program shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe ka pasur vëmendje nga fëmijët, por edhe prindërit janë ndjerë të vlerësuar që fëmijët e tyre janë angazhuar në aktivitete sportive duke mënjanuar ata nga shfrytëzimi i kohës jo produktive pas orarit të mësimit”, tha Muzhaqi.
Ministrja Muzhaqi u shpreh se “shpresojmë fort që ky program do të zhvillohet edhe më tej në programet e ardhshme duke shtuar edhe disiplinat sportive, por edhe duke vijuar mbështetjen duke e shtrirë në gjithë vendin”.