Fushata e presidentit amerikan, Joe Biden, insistoi sërish se ai nuk do të tërhiqet nga gara edhe pse shumë demokratë të nivelit të lartë duan që ai ta shqyrtojë mundësinë që të largohet nga gara për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, për t’i hapur rrugën një kandidati të ri demokrat për të parandaluar një humbje të mundshme në zgjedhje.
Biden aktualisht gjendet në shtëpinë e tij në Dellauer ku është izoluar për shkak të infektimit me koronavirus.
Presidenti amerikan ka insistuar se mund ta mposhtë republikanin Donald Trumpin, teksa po përballet me presion që të lërë garën.
Shefja e fushatës së Bidenit, Jen O’Malley Dillion, e pranoi se ka “rënie” të mbështetjes për presidentin, por insistoi se ai “absolutisht” do të qëndrojë në garë dhe se fushata e tij “ka disa rrugë” për ta mposhtur Trumpin.
“Ne kemi shumë punë për të bërë për të siguruar popullin amerikan se po ai është i vjetër, por mund të fitojë”, tha ajo për MSNBC. Ajo tha se shqetësimet e votuesve për aftësinë e Bidenit për të udhëhequr me shtetin nuk po i bëjnë ata që të votojnë për Trumpin.
“Ata kanë pyetje, por ata po qëndrojnë me Joe Bidenin”, shtoi ajo.
Në të njëjtën kohë, Komiteti Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të takohet të premten për të shtyrë përpara votimin e planifikuar virtual para 7 gushtit, ku pritet të nominohet kandidati i partisë për president. Kjo mbledhje virtuale do të mbahet para se partia të mbajë Kuvendin më vonë gjatë gushtit në Çikago.
Një shumicë e demokratëve mendojnë se nënpresidentja, Kamala Harris, mund të jetë një kandidate e mirë për presidente.
Sipas një sondazhe të realizuar nga Associated Press dhe NORC Center for Public Affairs Research, gjashtë në dhjetë demokratë besojnë se Harris do të ishte një presidente e mirë. Dy në dhjetë demokratë besojnë se ajo nuk do të ishte një presidente e mirë dhe po ashtu dy në dhjetë të tjerë nuk kanë mendim.
Demokratët në nivelet më të larta i kanë kërkuar Bidenit që ta rishqyrtojë kandidaturën e tij. Në mesin e tyre raportohet se edhe ish-presidenti Barack Obama, ka shprehur shqetësime për kandidaturën e Bidenit dhe ish-kryerja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, raportohet se privatisht i ka thënë presidentit se partia mund të humbë aftësinë që të marrë kontrollin e Dhomës, nëse ai nuk tërhiqet nga gara presidenciale.
Po ashtu, të mërkurën, ligjvënësi i Kalifornisë, Adam Schiff, një aleat i ngushtë i Pelosit, u bë demokrati i profilit më të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, që i bëri thirrje Bidenit të tërhiqet nga gara.
Shqetësimet për aftësinë e Bidenit për të udhëhequr me shtetin edhe për një mandat u rritën pas debatit presidencial me Trumpin më 27 qershor. Vetë Biden e ka pranuar se nuk ka pasur performancë të mirë gjatë debatit, por që atëherë ka refuzuar thirrjet për t’u tërhequr nga gara. REL