Pas afro 2 muajsh ekonomia shqiptare do të dalë nga karantina por me masa kufizuese.Vendimi për rihapjen parashikon ndër të tjera kufizime pasi siç dihet akoma pandemia nuk ka mbaruar por po bëhet për ti dhënë pak frymë ekonomisë.
Nga nesër, një numër i madh biznesesh do të mund të rifillojnë aktivitetin e tyre, përmes praktikave të rrepta të kufizimit të përhapjes së Covid-19. Lista e bizneseve përfshin një sërë aktivitetesh bujqësore dhe ato të tregtimit me shumicë dhe pakicë të pothuajse gjithë produkteve.
Do të rinisë tregtia e veshjeve, e mishit, peshkut, elektroshtëpiaket, automjeteve dhe pjesëve të automjeteve, kafshëve, bimëve etj. Do të vazhdojnë të mbeten mbyllur baret, restorantet, parukeritë, dhe shërbime të ngjashme që veprojnë përmes kontaktit të afërt të stafit me klientët.
Ministria e Shëndetësisë ka imponuar kushte të rrepta sigurie për kompanitë, të cilat duhet t’u sigurojnë punonjësve kushtet e duhura, për të mos u infektuar nga koronavirusi.