Borxhi i Jashtëm Bruto ( ku përfshihet borxhi publik dhe ai privat) u shtua gjatë vitit të kaluar me 3 për qind ose 228 milionë euro. Banka e Shqipërisë raportoi se, në fund të muajit dhjetor të vitit 2016 Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi rreth 7,862 milionë euro. Gjatë tremujorit të katërt të vitit stoku i BJB u rrit me rreth 7 milionë euro, ndërsa zgjerimi vjetor shënon 228 milionë euro.
Në rreth 77% të vëllimit, BJB është në trajtën e borxhit afatgjatë, kryesisht në formën e huave të zotëruara nga Qeveria e Përgjithshme. Borxhi afatshkurtër zotërohet kryesisht nga Bankat. Sektori i Qeverisë së Përgjithshme zotëron pjesën kryesore të BJB, me rreth 43% të vlerës.
Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Bankave (17%), Sektorëve të tjerë (16%), Autoritetit monetar (1%) dhe hua midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt (22%).
Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 4% dhe në fund të muajit dhjetor 2016 shënon 3,401 milionë euro. Borxhi i Qeverisë së Përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Teprica e huave afatgjata u rrit me rreth 170 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve është ulur me 30 milionë euro – si pasojë e blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë. Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.
Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës së Shqipërisë ra përgjatë vitit me rreth 17%, në reflektim të shlyerjeve të huave të garantuara nga Qeveria dhe në fund të muajit dhjetor 2016 shënon 63 milionë euro. Në masën më të madhe ky borxh përbëhet nga alokimet e SDR-së (93%), ndërsa huatë afatgjata të akorduara nga FMN-ja zënë rreth 7%. Në fund të periudhës, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,350 milionë euro, në zgjerim me 69 milionë euro referuar fund vitit 2015. Përbërësit kryesorë të borxhit të bankave mbeten “monedhat dhe depozitat” në maturitet afatshkurtër dhe “huatë”, respektivisht në rreth 86% dhe 13% të totalit të borxhit të bankave. Stoku i borxhit të Sektorëve të Tjerë shënoi 1,281 milionë euro, në rritje gjatë vitit me 5 milionë euro. Borxhit të jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – huave ndërkompani” arriti nivelin prej 1,767 milionë euro, duke u zgjeruar në harkun kohor të një viti me 26 milionë euro.
Nga pikëpamja e instrumenteve financiarë, akumulimi i stokut të borxhit të jashtëm vijon të mbetet i përqendruar në formën e “investimeve të tjera” (me 70% të stokut të borxhit), kryesisht “hua”. Në harkun kohor të një viti, stoku i borxhit në formën e “huasë” u zgjerua me 154 milionë euro dhe në fund të muajit dhjetor 2016 shënon 3,957 milionë euro. Në të njëjtën kohë, borxhi në formën e “monedhave dhe depozitave” dhe ai në formën e kredive tregtare u rritën respektivisht me 106 dhe 12 milionë euro ndërsa detyrime të tjera të borxhit të jashtëm ranë me 54 milionë euro.
Në fund të dhjetorit 2016, borxhi afatgjatë i Shqipërisë arriti në 6,077 milionë euro dhe përfaqëson 77% të totalit të borxhit. Në harkun kohor të një viti, borxhi afatgjatë u zgjerua me 87 milionë euro. Rreth 56% e stokut të borxhit afatgjatë zotërohet nga sektori i Qeverisë së Përgjithshme, i ndjekur nga investime Direkte – hua ndër kompani (rreth 26%) dhe Sektorë të Tjerë (rreth 15%). Në fund të periudhës, borxhi afatshkurtër shënoi rreth 1,785 milionë euro. Në harkun kohor të një viti, borxhi afatshkurtër u zgjerua me 141 milionë euro. Sektori i Qeverisë së Përgjithshme dhe ai i Autoritetit Monetar zotërojnë vetëm borxh afatgjatë. BORXHI i JASHTËM BRUTO SIPAS MONEDHËS Grafik 2. Struktura e BJB sipas monedhave në Dhjetor 2016 Monedha evropiane (EUR) është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, me rreth 66% të totalit në fund të periudhës (Shih Grafik 2).
Vlera e përgjithshme e tërheqjeve ose fluksi i borxhit të ri gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016 për të gjithë ekonominë ishte 85.2 milionë euro (Shih Tabela 3). Tërheqjet e borxhit të ri gjatë këtij tremujori për të dy sektorët, publik e privat, shënuan përkatësisht vlerat 47.3 dhe 37.9 milionë euro. Rreth 52% e vlerës së borxhit të tërhequr gjatë periudhës i përket Qeverisë së Përgjithshme, ndërkohë Sektorët e Tjerë kanë marrë rreth 27% të borxhit të periudhës.
Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016, shënoi vlerën 121.8 milionë euro. Nga këto, rreth 56 milionë euro u paguan nga Qeveria e Përgjithshme, 54 milionë euro nga Sektorët e Tjerë, 11 milionë euro nga Sistemi Bankar dhe 0.2 milionë euro nga Autoriteti Monetar. Nga vlera gjithsej e shërbimit të borxhit gjatë periudhës rreth 89% ka shkuar për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe rreth 11% ka shkuar për shlyerjen e interesave.
Sektorët e Tjerë mbajnë peshën kryesore në shlyerjet e principalit për tremujorin e katërt të vitit 2016, me rreth 52 milionë euro ose 49% të vlerës së përgjithshme të principalit, ndërsa Qeveria e Përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjen e pagesave të interesit, me rreth 12 milionë euro ose 84% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia. /monitor/