”Shuplaka” publikon sot dëshminë e fortë të një biznesmeni nga Vlora, i cili tregon se si për shkak të kryebashkiakut Dritan Leli, vëllait, motrës dhe gjyqtarëve e policisë kapur prej tij, i është bërë jeta ferr. Biznesmeni i fuqishëm ka lënë dje Shqipërinë, duke marrë vendimin drastik për jetën e tij, për t’u larguar nga Vlora, por ”Shuplaka” mundi ta intervistojë, duke kuptuar me detaje problemet që i kanë lindur biznesmenit që xhironte në Vlorë nëpërmjet kompanisë së tij mbi 7 milionë euro.
Biznesmeni quhet Patriot Islamaj, ish-kryetar i Dhomës së Tregtisë së Vlorës dhe thotë se prej vitesh përndiqet dhe ndodhet nën presion. Ai rrëfen me detaje zanafillën e problemit mes tij dhe ish-ortakut Eduard Lelit që është edhe vëllai i kryebashkiakut të Vlorës, mes tij dhe motrës së Lelëve, mes tij dhe gjyqtarëve. Një histori mashtrimesh e presionesh, siç thotë biznesmeni.
Por ngjarja merr një tjetër dimension, kur biznesmeni i vë në dispozicion redaksisë sonë edhe një regjistrim audio të shefit të Policisë Ndërtimore, siç dëshmon biznesmeni, ku shfaqet hapur konflikti që biznesmeni ka me Eduard Lelin dhe me Bashkinë e Vlorës. ”Të mora, të arrestova tani. Është konflikt i ngritur, këta do vriten me njëri-tjetrin”, dëgjohet në audio.
”Shuplaka” vendosi të publikojë dëshminë e biznesmenit dhe njëkohësisht regjistrimin audio që Islamaj thotë se ka të bëjë me momentin kur policia i shkon në shtëpi për një ndërtim që ishte duke kryer. Sipas asaj që thotë biznesmeni, video që ka vetëm audion është kryer me telefonin e tij, të cilin e ka fshehur në xhep gjatë mbërritjes së policisë së Vlorës në banesën e tij. Banesa ndodhet ngjitur me ndërtimin e Eduard Lelit.
Dëshmia e biznesmenit ndaj Eduard Lelit dhe Dritan Lelit është e rëndë. Ai akuzon kryebashkiakun dhe vëllanë e tij për mashtrim, presion, të cilëve, po sipas tij, u binden gjyqtarët dhe policia e Vlorës.
”Unë i kam çuar edhe mesazh kryetarit Leli, të cilit i bëj historikun nga 2000 deri në 2008-ën se sa miq kemi qenë, se sa ndere i kam bërë, se sa specializime ka bërë dhe kam paguar dhe unë lekët e tij deri në modelimin e shtëpisë dhe dyshoj se në atë firmën ku ka qenë me vëllanë e tij, në 2007 mua më ka hequr 25 mijë dollarë që 99% janë në llogarinë e kryetarit të Bashkisë. Kështu që unë jam në një trysni të jashtëzakonshme me këtë lloj sjellje.”, thotë Islamaj.

DËSHMIA
”Viktima jam edhe unë, në gjithë veprimtarinë time që nga viti 1995. Fati i keq i imi ishte që kur i besova Halil Lelit. Në një takim rastësor, tek rruga e re, pasi u përshëndetëm dhe folëm si vlonjatë, më qau hallin se djali i madh, Edi, kish marrë rrugë të keqe, mbase e shkëput nga një shok jo i mirë, më thotë, se janë duke presuar hashash tek magazinat e Përpunim Drurit. Shkuam te dy dhe e takojmë Eduardin dhe bisedojmë me të, duke i propozur një punë si shofer në firmën që unë punoja bashkë me një shokun tim.
Na u bind dhe pas pak kohe filloi punën si i tillë dhe pse ortaku ime nuk donte që ky të fillonte punë, ”i njoh unë se çfarë monstra janë ata” më thoshte vazhdimisht. Në këto kushte në mbikëqyrje të fortë dhe me kontroll të vazhdueshëm, u bë shofer mauneje dhe i besuam për transport mallrash me Greqinë dhe Italinë. Në një rrugë që bën me materiale mobilerie nga Athina dhe nëpërmjet portit të Igumenicës do vinin në Shqipëri, e arrestojnë në këtë qytet për një dënim të pakryer në Greqi. Kemi ndërhyrë nëpërmjet miqve tanë grekë dhe pasi kemi paguar një shumë të konsiderueshme për atë kohe, e nxjerrim nga burgu.
Vitet po kalonin dhe filluam t’i besonim. Sinjalet dhe informacionet që vinin ishin disi të pabesueshme që ky ishte bërë tmerri i vjedhjeve të mallrave të ndryshme nëpër maunet që udhëtonin në tragetet që vinin në Portin e Vlorës. Në një kontroll rutinë që i bëra i gjeta një pompë thithëse që vidhte naftë në traget dhe nuk furnizohej në pika karburanti edhe pse i jepnim lekët për këtë furnizim, vidhte në traget maunet frigorifer që sillin në Shqipëri mish pule apo derri. Bile në një rast shpëtoi mirë që për pak nuk i mbyllën derën e frigoriferit kur ky ishte duke vjedhur.
Aty nga fundi i 1998-ës, filluan shenjat e para të përçarjes midis ortakësh dhe m’u desh mua që të shkëputësha i pari, pasi 4 ortakët e tjerë dhe pse u ndanë më vonë, ishin në lidhje gjaku e miqësie me njëri-tjetrin. Edi, kishte fituar një eksperiencë në udhëtimet që bënte si shofer mauneje, dinte shumë pika kontakti dhe vende furnizimi dhe në një bisedë që bëmë gjatë një udhëtimi në Itali, vendosëm që të hapnim një firmë më vete me emrin ”I.M.S”. Filluam në qershor 1999, deri në fund të 2008-ës. Veprimtaria filloi mirë, me rregulla dhe respekt në tregtimin e lëndës së parë të mobilerisë dhe materialeve të ndërtimit. Ndërmorëm një hap tjetër në hapjen e një fabrike mobiljesh, duke shtuar dhe një ortak tjetër që ishte Filip Angjeli dhe pagëzimin e firmës e bëmë ”FAPIEL”.
U nisëm që këtë investim ta bënim me ritme të ngadalta por mendjemadhësia e ortakut dhe toleranca ime bëri që ky investim t’i kalonte parashikimet dhe mundësitë e financave. Edhe pse përfunduam investimin, na u krijuan vazhdimisht probleme. Ortaku u tërhoq me përshtypjet më të këqija për Eduardin. Në këtë kohë unë kam kërkuar që të tërhiqem nga ky investim dhe të nxjerr në shitje kuotat. M’u betua se gjërat do ndryshonin dhe unë fillova të punoj, derisa bilanci i fabrikës sa vinte dhe rrënohej.
Në këtë kohë kish dalë në treg ”TV Amantia”. Unë organizova 10 biznesmenë të suksesshëm që këtë TV ta merrnim të gjithë bashkë por nuk u arrit. Filluan të tërhiqeshin, por përsëri në prapaskenë Eduard Leli, i cili e kishte blerë në orët e vona të natës, pa më pyetur e bleu me emrin e tij.
Më vonë investuam dhe në servisin e makinave por duke kaluar vitet bilancet treguan se po futeshim në kolapsin e mosshlyerjes së kredisë dhe detyrimeve të tjera. Nuk kish më kuptim që ne të punonim më bashkë. Pasi sistemova fëmijët në Kanada për të vazhduar shkollat atje, m’u desh pak kohë që të kthjellesha dhe të merrja vendimin për të realizuar ndarjen në kushte normale dhe në mirëbesim të plotë.
Çudia e madhe ndodhi. Si ka karakterin dhe moralin, dredhi, me prapaskena, mohime, mospërgjigje të thirrjes për të biseduar, vjedhje dhe shpërdorime, përdorim Ilogarie deri dhe në kompromentim gjyqtarësh dhe prokurorësh në atë masë sikur ne kishim qenë 10 vjet armiq dhe jo miq. Kam arritur t’i bëj e-maile dhe lajmërime noteriale që të uleshim bashkë për të përmbushur detyrimet pas ndarjes, si për të kthyer në vend motorët e kondicionerëve që i kish vjedhur, të kthente inventarin e materialeve të mobilerisë që ishte në ruajtje të FAPIEL në shumën 17,800,000 Iekë të reja, të merrte përgjegjësit tek motra për të më kthyer lekët, të kthente dhe të merrte përgjegjësitë e mbi 50,000 dollarëve që duhet t’ia kthente ”I.M.S”-së. Mashtruesi triumfoi, bëri miq deputetë, shtetarë për të krijuar mbrojtje. Ai bëhet me Partinë Demokratike, miqësohet me Genc Rulin si ministër i Ekonomisë, lëvizte në delegacionet ku shkonte Berisha, merrte atributet e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe për më tepër mashtronte për pozicionin që kishte në shoqëri, duke treguar diplomat e blera në Universitetin e Vlorës, 2 të tilla dhe doktoraturën. Fillova kalvarin e gjyqeve.
Të gjitha gjyqet u humbën sepse mjeshtri i manipulimeve dhe kompromentimeve arriti që me gjyqtar Ervin Trashin, të bënin të mundur që të gjitha pretendimet e avokatit të Eduard Leli të bëheshin vendim gjyqi pa i hequr asnjë pikë dhe as presje. Pasi bëra apelimin në Gjykatën e Apelit, gjykatësja Alma Lici, duke qenë se i ka miq iu bëri sërish qokën.
Në kushtet e miqësisë që kisha në mirëbesim, i shita motrës së Eduardit 100 metra katrorë shtëpi, në mirëbesim, që lekët do të m’i jepte pas dy vitesh. Por mjeshtri Eduard i kishte bërë mirë llogaritë që ato lekë unë nuk do t’i merrja kurrë. Edhe pse dyshoj se ai vetë i ka përfituar lekët e së motrës. Pas disa procedurave noteriale m’u desh të dëshmoja edhe faktin që për shitjen e kësaj shtëpie nuk më ishte paguar asnjë cent nga ana e blerësve. Shtëpia iu ngeli atyre edhe pse e çova çështjen sërish në Apel, por këtë herë e dashura e fisit Leli, Alma Lici e pranoi në tavolinë faktin që i kishte miq dhe se vendimi nuk mund të ishte i ndryshëm.
Shtëpia që i shita motrës së tyre nuk është në përdorim pasi i është kaluar ”Amantia TV”, ndërkohë ajo banon në një godinë tjetër, sërish në pronësi të firmës ”I.M.S”, pronari i vetëm i së cilës jam unë. Edhe pse i kam bërë disa thirrje ajo sërish nuk është larguar.
Kalvari nuk mbaron këtu, pasi në vitin 2013 për disa hapësira të përbashkëta që kishim me Eduardin, nën presionin e vëllait të tij ”kryebashkiakut me vath”, ishin lënë me deklaratë noteriale në përdorim të firmës ”I.M.S” që unë drejtoja, mirëpo fisi vazhdonte të më shqetësonte derisa një ditë një nga nipat e fisit, erdhi dhe më shkaktoi një frakturë në këmbë, duke më sulmuar pabesisht. Mirëpo djali i fisit arriti t’i shpëtonte dënimit në sajë të aministisë që përfitoi nga autoritetet.
Kalvari u shtua me ardhjen në pushtet të njeriut ”me vath” dhe është krijuar ideja në qytet se unë jam shkelësi më i madh i ligjeve.
Në opinionin tim personi që e heq veten doktor, nuk ka pasur kurrë një pacient dhe të ketë shkruar një recetë, personi që në gen ka mashtrimin, dredhërinë, edhe për më keq tradhëtinë. Ky kryetar që mashtroi me kualifikimin e tij. Ky Dritan që për çdo arritje dhe për krijimin e familjes është 50% kontribut edhe i financave të mia. Personi që e kemi shëtitur në Greqi dhe Spanjë, në Itali dhe deri në Amerikë, sot është kundërshtari im, të cilin e kam denoncuar me fakte dhe prova për sjelljen e pamoralshme të tij dhe vëllait të tij. Turpi bie për atë që përdor institucionin që drejton për të presionuar mua dhe familjarët e mi.
Në këto kushte vendosa të denoncoj pasi këta njerëz përdorin karrigen për të ushtruar presione dhe në përfundim e pëson një popull i tërë. Këta janë njerëz që turpin e hanë me bukë dhe bukën e shkelin me këmbë.”
*****
Për një publik që ju lexon tani, a mund të na i përmblidhni se pse doni ta lini Shqipërinë?
E para e punës kjo lënia e Shqipërisë është e përkohshme derisa jam nën presionin e institucionit të Vlorës me kryetar bashkie Dritan Lelin. Meqënëse institucionet e bashkisë dhe kryesisht policia e ndërtimit dhe vetë sjellja e kryetarit me vëllanë e tij, me motrën e tij dhe presioni që po më bëhet nëpër gjykata, unë jam nën presionin e mos të fituarit të asnjë gjyqi, në mosmarrjen e asnjë shërbimi dhe për më keq, nëse do të dëgjosh atë video do të dëgjosh një shprehje të drejtorit të Policisë së Ndërtimit të Vlorës që thotë ”Ju do vriteni!”.
Tani unë nuk e kam jetën kështu… në këto kushte në humbjen pa të drejtë të disa gjyqeve dhe moskryerja e një shërbimi shumë nominal brenda ligjeve dhe rregullave, gjithmonë brenda ligjit dhe brenda rregullave, jam i detyruar të marr një nismë që dua të iki.
Keni vendosur të ikni bashkë me familjen?
Po bashkë me familjen.
Pra, për ju është bërë e pamundur jetesa në Vlorë?
Jetesa në Vlorë më është bërë ferr. Ferr. Domethënë kur unë shoh një gjyqtare, e keni lexuar emrin saj, që as pyet dhe as përgjigjet, Vlora aq është, kur në tavolinë ajo shprehet që i kam miq dhe kam detyrim t’ua jap atë gjyq, kur ajo është në shkelje të plotë të ligjeve dhe të rregullave, të detyrimeve që ka motra e kryetarit të bashkisë, ndaj atij shërbimi që është kryer dhe të asaj shitje që është bërë. Ose një sjellje shumë e poshtër e një gjyqtari tjetër Ervin Trashi që e shoh një gjyq që nga 5 seanca e ka bërë me 30 e ca seanca dhe të zbardhësh konkluzionet përfundimtare e avokatit të palës kundërshtare dhe i bën vendim gjykate. Unë do të dërgoj me email konkluzionet e palës kundërshtare dhe vendimin e gjykatës siç është, thjesht edhe një person që nuk merr vesh e lexon, e bën krahasimin shumë thjesht, edhe paragrafet.
Sa është volumi i biznesit që keni patur deri tani, çfarë volumi i keni sjellë Vlorës?
Unë kam filluar biznesin herët dhe kam ndërruar disa herë kompanitë, sipas kushteve, por deri nga viti 2008, nga fundi, biznesi ”I.M.S” ishte nga më të suksesshmit në bizneset e Vlorës këtu edhe nga ndërtimet që ka bërë ishin ndërtime me vlera shumë të larta, deri në 7 milionë euro, që m’u kthyen në bumerang të biznesit tim pasi jam ndarë nga vëllai i kryetarit të bashkisë që kam punuar 10 vjet me të.
Detyrimet më të mëdha kanë qenë të atij. Ai mori një nga bizneset që kishim krijuar dhe nuk shlyeu gjithë detyrimet ndaj meje, ai me mashtrime dhe unë po shlyej edhe detyrimet e tij, të disa klientëve të tij për mohimin edhe pse i ka me dokumente për të shlyer.
Pra, ju shihni një hakmarrje të tyre ndaj jush?
Absolutisht. Jo hakmarrje, po unë kam thyer këmbën. Ai ka futur djalin për një sipërfaqe të përbashkët për të cilën e keqpërdorte se sipërfaqja e përbashkët, ajo që nuk ishte ndarë me mur kalonte në pronën time. E keqpërdori. Ndërkohë që unë kam thyer këmbën, jam me frakturë. Djali i tij ishte për të dënuar dhe nuk e dënuan. Pse? Se politika te neve bën forcën te gjyqësori, bën forcën te pushtetari bën forcën te njerëzit mashtrues dhe ordinerë si puna e këtij. Dhe këta, njerëzit e ndershëm i çojnë me shpatulla pas murit.
Deri dje vëllai i kryetarit të bashkisë, bashkë me kryetarin e bashkisë shkonin në çdo delegacion të qeverisë së mëparshme, po kështu bëjnë edhe në këtë qeveri. Këta janë njerëz që hanë bukë me të gjithë.
Ish-ortaku juaj në biznes me të cilin keni patur të gjitha këto probleme është vëllai i kryebashkiakut të Vlorës, çfarë roli ka patur vetë Dritan Leli në çështjen tuaj, në problemet që thoni se ju janë hapur?
E para e punës, brenda vendimit të Këshillit të Ministrave 408, neni 6, datë 13.5.2015 te ”Punimet që nuk kërkojnë leje ndërtimi” thuhet që vetëm bëhet një njoftim te Urbanistika e Bashkisë dhe te Inspektoriati i Ndërtimit INUV-i i Vlorës. Unë i respektova të dy këto institucione, u çova njoftimin dhe fillova të bëja disa punime brenda ambjenteve të mia që janë me pronësi, me certifikatë pronësie, të ndara me hipotekë. Në kohën që unë kam lëvizur një derë banje mua më ka mbërritur vetë drejtori i policisë, Ilir Troci, të cilin e keni të regjistruar. Dhe ky më shqetësoi më shumë. Jo vetëm që më ndaloi punimet pa procesverbal por ka ardhur edhe Policia e Rendit me 5 polica, ka marrë punëtorët brenda, më morën mua brenda dhe nuk e hapnin të shikonin dosjen që unë u kisha nisur atyre se unë dosjen e kisha në dorë dhe nuk begenisnin të hapnin dosjen dhe të shihnin se çfarë kisha kërkuar, isha brenda ligjit apo jashtë ligjit. Vetëm është bërë kqyrja e objektit, e kanë fotografuar, inventarizuar brenda pronës sime. Dhe vetë drejtori i Policisë nuk mbajti një procesverbal për bllokimin. Unë i kërkoja mbaj procesverbal ”Pse më bllokon?”, ”Do ta mbaj në një vend tjetër, ikni, merr lejën”, bile është shprehur qartë atje: ”Ti duhet të firmosësh te Eduard Leli, vëllai i tij Dritani për këtë punë që bën ti”. Kjo është çudia më e madhe.
Po me aktivitetet tuaja çfarë do ndodhë?
Aktivitetet i kam pasivë. Unë kam 3 vjet që i kam mbyllur që nga momenti që unë nuk po grumbulloja të ardhurat nga debitori kryesor Eduard Leli por edhe nga disa debitorë të tjerë por njëkohësisht edhe nga bllokimet që më bëheshin vazhdimisht. Unë vij nga klima e biznesit. Unë isha kryetar i Dhomës së Tregtisë së Vlorës, mirëpo këtu meqë nga viti 2000-2007 kam qenë kryetar, je i etiketuar siç i etiketojnë këta, i majtë, i djathtë, këtu te mua gjen një klimë të tillë dhe mënyra se si po sillej ky me pushtetin e atëhershëm, mua filluan të më bllokoheshin të gjitha aktivitetet dhe u detyrova që t’i çoja pasivë.
Cilat janë kërkesat kryesore për një jetesë normale në Vlorë?
Unë kam për të zgjidhur shumë probleme. Kam probleme me ALUIZNI-n, kam probleme me klientët, me gjyqtarët meqë do bëj gjyqe. Kam riparime, ndërtime. Unë kam rreth 1600 metra katrorë për të legalizuar. E shikoj të pamundur që të vazhdoj dhe të harxhoj lekë kot se nuk kam shans as t’i legalizoj, as të mbledh lekët, as të fitoj gjyqe. Atëhere çfarë duhet të bëj unë? Unë deri tani pothuaj humbas në tavolinë, gjyqtarja nuk e lexon njëherë dosjen.
Çfarë shprese kam unë? Te gjyqtarët e korruptuar?! Mua më masakrojnë këta! Atëhere çfarë duhet të bëj? Të rri të mbaj Vlorën? Të mbaj në shtëpinë time peshën e padrejtësive? Kështu jam i detyruar që..aq më keq që ka ardhur ky kryetar bashkie, fatkeqësi për qytetin e Vlorës jo vetëm për mua se ky nuk bën asnjë lek. Asnjë punë s’ka bërë, as ka për t’i bërë ndonjëherë. Kështu që unë jam i detyruar që…unë s’kam ndërmend të vdes për bukë se kanë ardhur këta në pushtet dhe karrigen e bëjnë pronë vetëm të zgjidhin problemet e tyre se problemet e qytetarëve as nuk duan t’ia dinë fare.
Unë i kam çuar edhe mesazh kryetarit Leli, të cilit i bëj historikun nga 2000 deri në 2008-ën se sa miq kemi qenë, se sa ndere i kam bërë, se sa specializime ka bërë dhe kam paguar dhe unë lekët e tij deri në modelimin e shtëpisë dhe dyshoj se në atë firmën ku ka qenë me vëllanë e tij dyshoj se në 2007 mua më ka hequr 25 mijë dollarë që 99% janë në llogari të kryetarit të Bashkisë, të Dritan Lelit kur s’ishte kryetar bashkie. Kështu që unë jam në një trysni të jashtëzakonshme me këtë lloj sjellje./Valmora Gogo-SHUPLAKA
https://www.youtube.com/watch?v=GTwjd4EY2hY&feature=youtu.be
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”59″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]
Discussion about this post