Deputeti i Partisë Socialiste Spartak Braho ka kërkuar shkarkimin e Agron Tufës nga posti i Drejtorit të Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Kërkesa për shkarkimin e Tufës është bërë ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve, pasi sipas Brahos ky institucion është shndërruar në Institucion të Ballit Kombëtar. Lidhur me këtë ka reaguar dhe vetë Tufa, duke thënë se kjo ishte një dhuratë nga ish-sigurimi i shtetit (lexo këtu).
Lidhur me këto deklarata ka reaguar edhe Drejtori i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, i cili gjatë një interviste ekskluzive për Televizionin Fax News u shpreh se kjo bëhet për shkak të frikës ë ish-sigurimsat që sot kanë pozita të rëndësishme në institucionet shtetërore nga e kaluara.
“Unë ndihem i kërcënuar, Braho trembet nga dokumentet e publikuara së fundmi. Ai është një njeri që është mësuar me mashtrime dhe gënjeshtra. Njeri që nuk ka shfletuar asgjë. Kam marrë lavdërime të shumta për institutin dhe punën që kemi bërë përmes publikimit të dokumenteve, filmave dhe dokumentarëve”, deklaroi Tufa.
Sipas tij mënyra se si ka artikuluar Braho është e turpshme, duke argumentuar se ai është I formuar me normat e sistemit komunist, duke shtuar se kjo është diçka që I dallon rrënjësisht me njëri-tjetrin.
“Për turpin më etik, është një skandal, unë jam formuar në një kohë krejt tjetër me Spartak Brahon. Fjalori banal i tij është tipik i atij lloj fjalori që përdorte komunizmi, unë nuk bëj pjesë në atë lloj niveli debate që krijon Braho. Kjo vjen për shkak të punës time, ndaj institucioneve të varura apo të pavarura të cilave ju kam kërkuar të di se sa ish-sigurimsa punojnë në pozitat shtetërore sot. Të cilët nuk e kanë vendin në institucionet tona demokratike. Braho natyrisht është ndjerë i kërcënuar për shkak të hapjes së dosjeve të së kaluarës së tij. Braho i përket epokës së diktaturës, unë jam krejt botë tjetër”, tha Tufa.
Agron Tufa shtoi: “Rasti i Edmond Sajës i cili është bërë publik e tremb Brahon, pastaj ka raste plot të tjera ku ish-sigurimsa kanë pozicione. I kemi nëpër këmbë dhe ju kemi dhënë pushtet të pakufijshëm të cilët arrijnë që në vitin 2019 të shantazhojnë, të kërcënojnë nga foltorja e Kuvendit. Ky është paradoksi, shoqëria jonë e kapur nuk ka nxjerrë si përfaqësues të vendit njerëz që e meritojnë. Ka vetëm një përkeqësim dhe degradim të të përzgjedhurve”.
Akuzat e Tufës bëhen më të rënd kur thotë se sfondi i të kaluarës së Spartak Brahos të çon sipas tij tek shumë kufoma, duke argumentuar se kur e shqipton diçka të tillë, ai nuk është vetëm por është edhe sfondi i ish-sigurimit të shtetit që sot sipas Tufës ka poste të rëndësishme në institucionet shtetërore.
“Sfondi i Brahos të çon tek një e kaluar ku ka shumë kufoma. Kur ia shqipton këtë Spartak Brahos, ai nuk është më vetëm Spartak Braho por është sfondi dhe begraundi ish-Sigurimit të Shtetit, që sot ka poste të rëndësishme sot në institucionet shtetërore. Kush nuk do të reagonte nëse nuk do të kishte një prapavijë të tillë…”
Tufa e përsëriti disa herë se ndihet i kërcënuar, por paralajmëroi se çfarëdo që mund ti ndodhë familjes së tij, Spartak Braho dhe eskorta e ish-sigurimit të shtetit do ta paguajnë në çdo mënyrë.
“Çfarë do gjëje që mund ti ndodhë familjes sime dijeni se do ti përgjigjemi Spartak Brahos dhe gjithë eskortës së ish-sigurimit qoftë me ligj dhe nëse nuk funksionin ligji nuk jemi njerëz të vetëm. Këmi njerëz, të afërm, kushërinj dhe do ti përgjigjemi në mënyrën tradicionale. Mua nuk me demotivon kjo, do vijoj ta bëj misionin tim, madje kjo më motivon më shumë, deklaratat e tij ishin edhe një urim motivues për mua për ditëlindje që bashkë me stafin tim t’ju shkojmë gjërave deri në fund për zbulimin dhe trajtimin e krimeve të komunizmit”.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/414034846089365/
(F.GJ/FAXWEB.AL)