Ministria e Jashtme e Çekisë ka reaguar ekskluzivisht për Fax News në lidhje me çështjen e rikthimit të vizave me Shqipërinë, temë kjo, e cila çoi në sulme dhe akuza mes aktorëve politikë në vend.
Autoritetet çeke theksojnë se pezullimi i regjimit pa viza me Shqipërinë dhe Serbinë është një nga mjetet, që sipas saj do të frenonte imigracionin e paligjshëm përmes korridoreve të Ballkanit Perëndimor, por megjithatë, Ministria e Jashmte çeke thekson se pezullimi i tyre, nuk po shqyrtohet për momentin.
“Pezullimi i regjimit pa viza me Serbinë dhe Shqipërinë është vetëm një nga mjetet e mundshme për parandalimin e rritjes së imigracionit të paligjshëm përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor; megjithatë nuk po shqyrtohet për momentin”, thotë Ministria e Jashtme e Çekisë.
Ka qenë edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, e cila përgënjeshtroi lajmet se Shqipërisë rrezikohej t’i riktheheshin vizat. Ajo tha se vendi ynë është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian.
” Dëshirojmë të informojmë qytetarët që këto lajme janë krejtësisht të pavërteta. Nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë”, theksoi MEPJ-ja.