Jahmir Hyka po kalon një formë të shkëlqyer me skuadrën e tij Luzernën në kampionatin Zvicerian. Mesfushori tiranas është vlerësuar disa herë nga shtypi helvet duke e bërë pjesë të formacionit më të mirë të javës. Kështu, nuk kanë munguar as ofertat e shumta nga ekipe të ndryshme, kryesisht në Turqi për 28-vjeçarin.
Në një intervistë për “Shuplaka”, futbollisti i kuqezinjëve ka folur për merkaton e janarit, ku thekson mundësinë e transferimit në një skuadër tjetër dhe rikthimin e tij në Kombëtare.
Ndër të tjera Hyka tregon për jetesën në Zvicër duke i konsideruar si një ndër vendet më mikpritëse ku ai ka luajtur.
Jahmir po kaloni një formë të mirë te Luzerna, si ndiheni?
Normalisht që ndihem mjaft mirë. Jam në një moshë që besoj është kulmi i karrierës së një futollisti. Mendoj se këtë po e pasqyroj edhe përmes paraqitjeve të mia.
Si i keni marrëdhëniet me trajnerin, ndiheni i vlerësuar nga ai?
Shumë të mira, madje dua ta falenderoj për mundësitë që më ka dhënë të luaj dhe besoj nuk e kam zhgënjyer.
Po afron merkato e janarit. Beshiktash ka shfaqur interes për shërbimet e tua. Ju kanë kontakuar personalisht?
Personalisht nuk më kanë kontaktuar, por jam informuar për këtë interesim.
Keni pasur oferta të tjera?
Normalisht, kam pasur nga më të ndryshmet. Por, interesim më të madh kam pasur nga kampionati Turk. Megjithatë të shohim se çfarë do të ndodhë kur të hapet merkato. Por një lëvizje tani është shumë e mundshme.
Ndonjë emër ekipi…
Për emra nuk mund të flas pa u finalizuar si muhabet pasi nuk e dimë se si mund të shkojnë tratativat. Por po them se janë 4-5 ekipe që kanë shfaqur interes.
Mund të thoni ndonjërin prej tyre…
Ok, po them Antaliaspor.
Të ndalemi pak tek eksperienca jote në kampionatin helvet. Si trajtohen futbollistët shqiptarë në Zvicër?
Personalisht, si nga ana profesionale si futbollist ashtu dhe jetesa ime atje shkon mjaft mirë. Ndihem i mirëpritur dhe i vlerësuar, në përgjithësi gjithçka shkon mirë. Madje mund të them se jam pritur më mirë se nga të gjitha vendet ku kam qenë.
Flasim për Kombëtaren. Jeni i lumtur për rikthimin në grupin e kuqezinjëve ?
Shumë i lumtur, pasi kisha kohë që e prisja. Si për çdo shqiptar është ndjesi tepër e veçantë të përfaqësosh vendin tënd.
E keni falur trajnerin De Biazi që nuk ju mori në “Europian” dhe pse ishit në supërformë?
Kam pasur shumë dëshirë të isha në Europian, por çdo trajner bën zgjedhjet e veta, ndaj dhe ne duhet ti respektojmë. Tashmë ajo është pjesë e së shkuarës, me rëndësi është që jam pjesë e grupit. Nuk jam natyra që mbaj inate, sidomos në aspektin profesional.
Sa shanse ka Shqipëria për t’u kualifikuar?
Kjo është paksa e ndërlikuar, por shanset janë akoma. Le të shpresojmë dhe luftojmë për qëllimin e përbashkët të gjithë deri në fund, siç thashë shanset janë dhe mund t’ia dalim, pse jo.
Në mars përballeni me Italinë, si e prisni këtë sfidë?
Jemi të vetëdijshëm për forcën, emrin dhe kualitetin e Italisë. Ato janë pretendentë në grupin tonë, por ne e kemi treguar se sa vlejmë edhe në ndeshjen miqësore që kemi zhvilluar ndaj tyre vitin e kaluar, kështuqë asnjëherë nuk i dihet. Mendoj që po të bëjmë lojën tonë do ta vendosim në vështërsi.
Me cilin nga lojtarët e Kombëtares jeni miqësuar më shumë?
Të jem i sinqertë jam tip i shoqërueshem dhe thuajse jam miqësuar me të gjithë, nuk e kam problem këtë pjesë. Kështu që nuk po them ndonjë emër të veçantë për të mos i mbetur hatri asnjërit (qesh).
Së fundmi, cili është kampionati që keni ëndërruar të luani dhe do donit ta arrinit një ditë?
Ëndrra ime ka qenë gjithmonë Milani. Por siç e dini pak vështirë tani…
Intervistoi: Eva MARKU