Deri në 2050, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël në Shqipëri pritet të bjerë me rreth përkatësisht, 15% dhe 20%, për shkak të rënies me 20% të shirave në stinën e verës deri në 2050. Alarmin e dha Ministria e Bujqësisë në draftstrategjinë për menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Strategjia e cila aktualisht është në proces diskutimi ka marrë në konsideratë të dhëna të mëprashme nga Banka Botërore.
Ndryshimet klimaterike janë reflektuar vitet e fundit, ku është parë se basenet e HEC-ve janë përballur me situata ekstreme, herë me tejmbushje nga reshjet e shumta që kanë shkaktuar përmbytje e herë më thatësira si kjo e kësaj verë ku vendi po plotëson nevojat e furnizimit thuajse nga importi.
Vetëm për muajt korrik dhe gusht u harxhuan rreth 60 milionë euro për importin e energjisë, shumë kjo që shterroi thuajse të gjitha fitimet e kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë të realizuara me 2016.
Ekspertët lajmërojnë se, ndryshimet e faktorëve klimatikë dhe ndikimi stinor së bashku ndikojnë kërkesën dhe furnizimin me energji. Stina e dimrit pritet të jetë më e shkurtër dhe më e ngrohtë dhe kjo do të çojë në një rënie të kërkesës për energji për ngrohje. Gjithsesi, temperaturat e larta në stinën e verës do të çojnë në rritje të konsumit të energjisë për ftohje.
Reshjet e dendura të shirave (që parashikohen të jenë më të shpeshta) së bashku me shkrirjen e shpejtë të dëborës për shkak të temperaturave të larta në stinën e dimrit mund të jenë një kërcënim për sigurinë e digave, duke i bërë komunitetet dhe zonat e banuara afër tyre të jenë të ekspozuara nga përmbytjet dhe/ose rrjedhjet e mundshme nga rezervuarët e hidrocentraleve.
Ky efekt bëhet akoma më i madh për shkak të ndryshimeve në sasinë e reshjeve, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura pas periudhave të gjata pa reshje duke shtuar këtu ndryshime në bimësi (shpyllëzimet) përgjatë rrjedhave të ujit, proçeset gjeologjike, dhe ndryshimet në rrjedhën e ujit./Monitor