Pavarësisht shifrave pozitive që vijnë nga parashikimi i WTTC-së, ekspertët dhe operatorët turistikë në vend shprehin rezerva sa i takon ecurisë që do të ketë sektori i turizmit gjatë këtij viti. Për Zak Topuzin, kreun e sektorit hotelier pranë Shoqatës Shqiptare të Turizmit, shifrat e institucioneve shqiptare raportojnë shifra të tjera në lidhje me kontributin e turizmit ndaj PBB-së, kështu ajo është parashikuar të jetë në rreth 6%, ndërsa disa vite më parë ka qenë në rreth 9% ose rreth 1 mld euro. Sipas z. Topuzi, kontributi i turizmit ndaj totalit të ekonomisë ka ardhur në rënie. Sipas strategjisë së miratuar nga Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit dhe Tregtisë dhe Sipërmarrjes parashikohet që deri në vitin 2020, kontributi ndaj PBB-së në total të llogaritet në rreth 6.6%.
Lojë me numra e quan këtë z. Topuzi, kryesisht me shifrat e turistëve. “Që një udhëtar të quhet vizitor duhet të paktën të qëndrojë 24 orë në destinacion. Qeveria numëron si turistë edhe ata që kalojnë tranzit, por edhe emigrantët, ndaj nuk ka sesi të mos raportohet rritje deri në 20%”, thotë z. Topuzi.
Por, këtij ritmi të parashikuar nuk i përgjigjet ai i akomodimit. Ne vazhdojmë të kemi rreth 67,000 shtretër, një kapacitet shumë i ulët për të përballuar një fluks në rritje.
“Kaq kapacitet akomodues ka edhe Maqedonia, e cila nuk mund të krahasohet me resurset natyrore që ka Shqipëria. Por, ajo ka investuar në akomodim. Hotelet nuk i ktheu në zyra. Ndërsa ne nuk kemi bërë asnjë investim. Mungojnë tërësisht investimet serioze në resorte turistike e janë të pakta njësitë akomoduese që ofrojnë standarde optimale”, – thotë z. Topuzi.
Sipas tij, problemi kryesor i turizmit shqiptar është sezonaliteti. Të gjitha vendet e rajonit shfrytëzojnë një turizëm gjithëvjetor, ndërsa ne nuk po arrijmë dot ta bëjmë këtë. “Numri i turistëve është në rritje edhe për shkak se Ballkani Perëndimor është kthyer në një trend dhe Shqipëria është një destinacion i detyrueshëm tranzitor për turet rajonale. Por këta nuk janë turistë që shpenzojnë, ata janë me paketa ekonomike. Ndikimin në turizëm e japin ata turistë që konsumojnë, që shpenzojnë. Nëse rajoni në pikun e sezonit, pra në dy muajt e verës operon me çmime mesatare që shkojnë deri në 100-200 euro nata, ne aplikojmë çmime 50-80 euro, sepse nuk kemi njësi akomodimi të ngjashme. Nuk kemi standarde shërbimi. Çmimet nuk përputhen me cilësinë. Rajoni është para nesh dhe zbaton të tjera standarde”, thotë z. Topuzi.
E si të mos mjaftonte kjo, këtë vit sezonit shqiptar do t’i duhet të përballet edhe me situatën politike në vend. Kjo situatë do të ndikojë. I gjithë sektori i turizmit e ka ngritur si shqetësim faktin se nuk duhet të mbahen zgjedhje në kohën e sezonit veror. Mbajtja e tyre ndikon te turizmi. Administrata në këtë periudhë nuk lejohet të marrë leje dhe ata janë konsumatorët kryesorë. Është target-grupi që shpenzon më shumë. Si rrjedhim, për të marrë standarde edhe në një kohë tjetër jashtë sezonit, ky grup preferon të marrë shërbim turistik jashtë”, thotë z. Topuzi.
Sipas tij, telashet e turizmit shqiptar janë të vjetra dhe mbarten vit pas viti në dy dekadat e fundit. Por, tashmë duhet zgjidhje dhe jo thjesht numërim turistësh e pastrim plazhesh në kohë sezoni.
Politika do të bëhet sërish pengesa kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm. Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në qershor do të bëjë që turizmi të ndihet në ngërç dhe të humbasë target grupin që shpenzon më shumë, që është administrata publike.
Drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Tur-operatorëve (ATOA) shprehen se një nga shqetësimet bazë për këtë sipërmarrje gjatë 2017-s pritet të jetë pikërisht mbajta e zgjedhjeve elektorale në qershor. Biznesi u ndie i zhgënjyer nga vendimi për t’i zhvilluar në këtë muaj, duke qenë se është kulmi i turizmit dhe marrja e rezultateve pozitive kërkojnë qetësi dhe vëmendje maksimale nga shteti.
Sektori do të vihet përballë edhe vështirësive që mund të sjellin flukset që do të ndikohen nga zhvillimet e jashtme. Nga ana tjetër kjo lidhet edhe me numrin e kufizuar të njësive akomoduese.
Problemet me sigurinë në Turqi kanë bërë që një pjesë e ofertës europiane të kanalizohet në Shqipëri. Hotelet kanë pohuar se kanë zënë kapacitetet për verën e 2017-s, por sipas biznesit, këto shifra do të mund të ishin dy apo trefish më të larta nëse puna do të ishte fokusuar te zhvillimi i rregullave të qarta të lojës.
Megjithatë për qeverinë, dy do të jenë sfidat kryesore: E para, është cilësia e shërbimit. Nëse kjo mungon, reflektimi mund të jetë negativ. E dyta, është kapaciteti që ka të bëjë me industrinë e mikpritjes. Kjo lidhet mbi të gjitha me sa tërheqës është vendi për investimet e huaja dhe vendase.
Ndërsa, sipas Luan Dervishej, ekspert në fushën e turizmit 2017-a, si një vit elektoral, mund të sjellë një kthim vëmendje të diskutimit publik dhe angazhimit politik dhe shanse për ridimensionim të programit të zhvillimit të turizmit për mandatin e ardhshëm qeverisës.
“Nga ana tjetër, duke qenë një vit elektoral, mund të ketë angazhime më të mëdha në investime dhe aktivitete në të dy nivelet, por dhe duhet të shmangen neglizhencat për hartimin dhe koordinimin e masave për mbarëvajtjen e sezonit.
Si përfundim, për vitin 2017 parashikoj se turizmi do të ndjekë trendin pozitiv, por dhe mund të ketë shans për një vëmendje në diskutimin publik për të vendosur menaxhimin me themel të tij për një të ardhme të qëndrueshme”, thotë z. Dervishej.
Ndërsa Nevila Popa, eksperte e turizmit, thotë se gjatë këtij viti do të zbatohen aktet nënligjore të ligjit të turizmit, si p.sh., ato të strukturave akomoduese që do të kenë një peshë mjaft të rëndësishme në cilësinë e produktit turistik që ofron Shqipëria. Sipas saj, bizneset e sektorit akomodues, punonjësit në hotele apo lloje të tjera strukturash akomoduese do të njihen me metodat më të mira dhe profesionale të punës, do të kenë mundësi edukimi në vazhdimësi për këtë fushë, konkurrenca do të jetë edhe më e shëndetshme, bizneset do të vlerësohen për të gjitha ato cilësi që përçojnë te vizitorët. Standardi gjithashtu do të ofrojë një çmim të drejtë në raport me cilësinë e produktit dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për përvojën e çdo vizitori në Shqipëri, por edhe për turizmin.
Një peshë jo pak të lehtë marrin aktet për udhërrëfyesit turistikë, sidomos me shtimin e numrit të kroçerave në Portin e Durrësit dhe Sarandës.
“Pyetja që na shtrohet përpara është: A kemi mundësi për gjithë këtë peshë të re që ka marrë turizmi në Shqipëri?
Pra sfida jonë e çdo viti në fushën e turizmit do të vijë duke u vështirësuar, pasi rritja e numrit të vizitorëve dhe e kohëqëndrimit të tyre kërkon gjithnjë e më shumë aftësi menaxhimi të biznesit, atraksioneve, aktiviteteve, destinacioneve e shumë të tjera. Gjithashtu, sfida do të lidhet me infrastrukturën, energjinë, pastërtinë, shërbimin etj.”, thotë znj. Popa. /monitor/