Ekstradimi i Nezar Seitaj, “financierit” të bandës së Habilajve është bërë me bekimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Burime të besueshme brenda këtij institucioni thonë për faxweb.al se vendimmarrja dhe koordinimi i procedurave, sidomos për raste të tilla bëhet në mënyrë të decentralizuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.
Në rastet kur kryhet vepër penale, ekspertët e fushës thonë se shkon personi tek procesi dhe jo e anasjellta. Në rastin e Nezar Seitaj është bërë kërkesë për ekstradim drejt Italisë për llogari të prokurorisë së Katanjas e cila ka hapur prej disa kohësh hetimet për bandën e Habilajve, të akuzuar për trafik narkotikësh. Bazuar në një marrëveshje mes shtetit Italian dhe shqiptar procedura e ekstradimit të një personi të kërkuar nga shteti fqinj kryhet arrihet vetëm pas vendimit të gjykatës, e cila shqyrton përputhshmërinë e kërkesës së palës tjetër me kushtetutën e vendit tonë dhe konventat ndërkombëtare. Ndërsa në rastet kur personi po hetohet për një vepër tjetër penale në vendin tonë, siç është rasti i Nezar Seitaj, ekstradimi i këtij personi kalon në ekstradim pasiv çka do të thotë që ai duhet të hetohet, të dënohet ose jo dhe të shlyejë dënimin në Shqipëri. E thënë më qartë ekstradimi i Nezar Seitaj duhet të ishte ekstradim pasiv, deri në momentin që ky i fundit të shlyente çdo detyrim ndaj drejtësisë shqiptare. Ndërsa ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme luajnë ping-pong me njëra tjetrën për lënie “në derë” të fajit, ligji flet shumë qartë.
Sipas ekspertëve, Prokuroria e Përgjithshme është institucioni i parë që njihet me kërkesën për ekstradim dhe po ashtu institucioni kompetent i cili e dërgon dhe këtë çështje në gjykatë për të marrë një vendim gjyqësor. Duhet theksuar se në të tilla raste gjykata vendos vetëm për kërkesën e palës tjetër për ekstradim.
Është prokuroria e cila përcjell dhe dosjen e plotë të personit nën hetim dhe në rastet kur ky person po hetohet për një tjetër vepër penale në vend me një masë sigurie kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ekstradimi nuk mund të kryhet. Gjithashtu sipas burimeve të faxweb, ekstradimi nuk mund të kryhej pa miratimin e prokurorisë së Përgjithshme dhe se Ministria e Drejtësisë është thjesht një organ ekzekutiv. Ndërkohë ajo çka duket më paradoksale në këtë histori është dhe procedura e ndjekur për ekstradimin e Seitaj. Burime të brendshme nga Ministria e Drejtësisë thonë se lëvizja e tij drejt shtetit italian është bërë me urgjencë duke mos i lënë kohë as për t’u bërë gati. Ish-zyrtarë thonë se kur Ministria e Drejtësisë nis procedurat e ekstradimit për një person që është ne sistemin e burgjeve, si në rastin në fjalë, atëherë Drejtoria Juridike e DPB-së përgatit urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm për zbatimin e vendimit te ekstradimit ne 5 kopje.
Një kopje rri në dosjen DPB-së, një kopje i shkon Ministrisë së Drejtësisë, një i shkon IEVP-së ku është personi, një kopje e merr toga e shoqërimit që do e marrë dhe do e dorëzojë në Rinas tek pala italiane dhe një kopje i shkon prokurorisë. Pra me shumë gjasa institucionet përgjegjëse për ekstradimin e Nezar Seitaj kanë qenë të mirëkordinuara dhe të njohura me dosjen e tij, së paku për ta përcjellë atë sa më shpejt drejt Italisë dhe për të mos pasur një hetim në Shqipëri për anëtarët e bandës Habilaj dhe fijet e tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.